“Ecim me hapa të shpejtë drejt modernizimit të administratës publike përmes inteligjencës artificiale”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama.
Gjithashtu kryeministri njoftoi se po punohet për kartën elektronike të identitetit. Gjatë fjalës së tij solli në vëmendje sulmin kibernetik nga Irani, ndërsa vuri në dukje se në vitin e kaluar janë bërë 44 sulme serioze dhe vetëm në 2023 janë bërë 63 sulme serioze. Për të cilat,- siç tha ai askush nuk ka pasur dijeni sepse janë z’brapsur.
Po ashtu shtoi se falë bashkëpunimit dhe punës së vazhdueshme, është krijuar një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Europë.
“Jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit, që BE do të fusë në funksion nuk e ka akoma, por parametrat janë të njohura. Për informacionin e të gjithëve, besoj e mbani mend që jemi sulmuar nga Irani, në një përpjekje për të fshirë atë që kemi ndërtuar në 10 vite dhe kemi qenë në fije të perit. Irani nuk është një hacker i lehtë, por nga fuqitë më të mëdha të terrorit digjital. E kemi zbrapsur sulmin pa dëme të mëdha. Dhe vitin e kaluar kemi pasur 44 sulme serioze, dhe në 2023 kemi pasur 63 sulme serioze, askush nuk di asgjë për to. Sepse sulmet që zbrapsen nuk bëjnë lajm, por këtu hyn edhe faktori i tretë që është agjencia e re që kemi ndërtuar për mbrojtjen kibernetike, që është një burrë në krye, Igli që ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Bashkëpunimi është baza e këtij suksesi dhe sot pavarësisht se nuk mund të bëjmë ekspozita me armët që kemi në dispozicion, por kemi një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Europë”, tha më tej Rama.
/abcnews.al/