“Po planifikojmë një kundërsulm të ri”, Zelensky bën thirrje për më shumë armë nga Përëndimi

schedule11:02 - 10 Prill, 2024

schedule 11:02 - 10 Prill, 2024

Kancelari gjerman Olaf Scholz mund të mos i japë dritën jeshile dorëzimit të raketave Taurus në Ukrainë, megjithatë, Volodymyr Zelensky vazhdon të insistojë për më shumë armë. Madje shpjegon edhe arsyet pse gjermanët refuzojnë të dorëzojnë raketat.

Në një intervistë me gazetën gjermane Bild, udhëheqësi i Ukrainës kritikoi ashpër aleatët perëndimorë, duke bërë thirrje për më shumë sisteme armësh me të cilat bashkëqytetarët e tij do të luftojnë kundër rusëve.

“Partnerët tanë në Perëndim kanë disa armë që na duhen sot për të mbijetuar. Dhe thjesht nuk e kuptoj pse nuk po na i dërgojnë ato”, theksoi Zelensky, duke shpjeguar arsyetimin e tij.

“Ne kemi një plan për një kundërsulm të ri dhe për këtë na duhen sisteme të avancuara të armëve nga partnerët e huaj, përfshirë Shtetet e Bashkuara.”

Gjatë intervistës, presidenti ukrainas shprehu shpresën se Gjermania do t’i dorëzojë përfundimisht raketat Taurus, duke theksuar se kancelari Olaf Scholz dhe parlamenti federal, Bundestagu do të ndryshojnë mendje.

“Me sa kuptoj unë, kancelari Scholz beson se Gjermania nuk është një fuqi bërthamore dhe se raketat Taurus janë sistemi më i fuqishëm i armëve në vendin e tij. Prandaj, mendoj se refuzimi i Gjermanisë për dërgesat e raketave Taurus ka të bëjë edhe me kërcënimet bërthamore të Kremlinit”, tha lideri ukrainas.

“Rusia ka më shumë armë dhe më shumë njerëz. Por Perëndimi i bashkuar ka sisteme moderne të armëve. Kjo do të lejonte që Rusia të mposhtet dhe Ukraina të fitojë”, theksoi presidenti ukrainas.

Ai gjithashtu tha në intervistën e tij për Bild se po pret shumë shpejt në Kiev Donald Trump, i cili ka bërë presion për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit.

Ish-presidenti amerikan ka pranuar ftesën e Zelensky, por ende nuk është caktuar një datë për vizitën e tij në Ukrainë.

“Pa ndihmën e Perëndimit, Ukraina do të rrezikonte të humbiste luftën me Rusinë ”,theksoi presidenti ukrainas.

Ai gjithashtu e bëri të qartë se edhe nëse vendi i tij mposhtet në këtë luftë, do të dëshironte të qëndronte në atdheun e tij.

“Nuk mund të largohem nga vendi im. Në asnjë rast”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!