TIRANË- Kryeministri Edi Rama teksa prezantoi ministren e Brendshme, Albana Koçiun, tha se ky institucion ka nevojë për vizion të ri. Ai u ndal te varrezat e makinave, të cilat sipas tij do pastrohen në gjithë territorin.
“Po pastrohet trupi i Shqipërisë nga tumore të tmerrshëm, nga grumbullimi i makinave dhe motorëve të mbledhura nëpër fusha. Fusha të tëra në qyte, në anë të qytetit, me një kapacitet ndotës të llahtarshëm, që nuk kishte zot që i lëvizte se thuhej se këto i kemi prova. 35 vjet prova. Numri i shapkave të mbledhura si prova, të mbledhura dhe të futura në furgonë, është i lemerisësh, mund të vishni me shapka të gjithë pastrueset e Ballkanit.
Kontrolli i territorit ka filluar, dhe Policia ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe ka hyrë në një farë rrugë, falë dhe angazhimit të kreut të Policisë në këtë rast, sepse deri dje. Policia e Shtetit ishte pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Deri dje i shikoni vetëm avllitë”, theksoi Rama.
Ai paralajmëroi se siguria publike do jetë e monitoruar me kamera inteligjente.
“Katet pa leje të pallateve do t’i gëzojë shteti, jo ai që i ka ndërtuar. Na janë dashur muaj të tërë, për të konkluduar. Mbulim me kamera inteligjente, tërësor nga rrugët, shkollat, brenda shkollës, brenda klasës, për të na dhënë nivel sigurie të standardit europian”, tha ai./abcnews.al

