Sociologu Ergys Mërtiri në një intervistë në “ABC News” ka folur për situtatën e koronavirusit në Shqipëri. Për Mërtirin vendet që kanë më shumë sukses ndaj kësaj pandemie janë ata vende që kanë bërë më shumë testime. Ai u shpreh se kryeministri nuk ka zgjedhur këtë formë, por sipas tij është fokusuar të izolimi.
Sa i përket numrit të lartë të rasteve të publikuar ditën e sotme ai u shpreh se nuk ka një rritje të kurbës, por ky rezultat sipas Mërtirit është rezultat i testimeve.
“Nuk besoj që është rritur kurba, por thjesht janë bërë disa testime më shumë. Epidemiologët janë shprehur se një numër i lartë i popullsisë do të preket. Në momentin që bëhet izolimi, frenohet përhapja, por duhet të dimë cilat do të ishin skemat e duhura për të krijuar imunizimin e popullatës. Duhet gjetur një rrugë e mesme që edhe sistemi të mos shkojë në kolaps, por edhe imuniteti i tufës të krijohet. Nuk jam kundër masave, por përdorimit kaq ekstrem siç bëhet nga qeveria jonë”, u shpreh ai.
Gjatë bisedës Mërtiri tha se kjo situatë do të sjellë pasoja edhe në shëndetin mendor dhe duhet pasur një kujdes shumë i madh. Dhe sipas tij dalja në mënyrë të kontrolluar duke ruajtur distancat nuk është diçka problematike. Ai shtoi se tashmë duhet të fillojë lirimi i masave. Sa i përket komunikimit të kryeministrit me qytetarët në këtë kohë pandemie Mërtiri tha se kryeministri ka përdorur një gjuhë horrori.
“Është përdorur një gjuhë paniku me terma terrorizuese. Kjo mënyrë komunikimi prodhon panik. Një qeveri me shumë probleme si e jona ka nevojë që shoqëria të jetë e panikuar. Nëpërmjet kësaj gjuhe kryeministri thotë se: “unë po ju shpëtoj nga vdekja”, gjuhë e përdorur si një mjet kontrolli.
Kërcënimi i shoqërisë nëpërmjet një armiku është një solidaritet i rremë për të kontrolluar njerëzit nëpërmjet panikut. Kërkohet të shuhen zërat, opozitar, të arsyeshëm. Kjo lloj gjuhe prodhon vetëm një kërkesë të mos vdesim, ndërsa problemet e tjera bëhen të papërfillshme”, tha Mërtiri, ndërsa shtoi se kjo imponon krijimin e sistemeve totalitare./abcnews.al