Nga Ahmet Zani
Në fshatin Zheje të Kurbint mbahet e lidhur me zinxhirë një 31-vjeçare, që ka lindur me probleme të rënda të shëndetit mendor. Në ato pak raste që nëna e moshuar, Marta Cacurri e zgjidh, ajo e dhunon. Thotë se është detyruar ta mbajë të lidhur, në kontenier, pasi vajza mund të dëmtojë veten dhe të tjerët.
“E kam bërë nga halli, shpirti po më ther, po s’kam nga t’ia mbaj se del e ikën. Është agresive. Të shkul flokët të tëra ti bën. Kur e laj duhen tre veta ta mbajnë, se ikën prej duarve, egërsohet. Po ta kapin nervat s’ka burrë që ta mbajë. Sa të ikë, ta shtypë makina e mbaj këtu, s’kam ç’të bëj, të vras veten.”
Nga institucionet veç miratimit të pagesës së kempit, nuk i është dhënë asnjë ndihmë, vetëm sorollatje.
“Isha në Laç para tre vjetësh na kishin çuar në Shkodër kërkova shërbim, por s’më dhanë. Lezha më tha se ka nevojë për shërbim.”
Tregon se dhe Bashkia e Kurbinit ka informacion për gjendjen e rëndë shëndetësore të vajzës.
“E dinë të gjithë dhe Lezha e di dhe Shkodra se e kanë parë po këtu s’kanë ardhur për ta parë.”
E dorëzuar para syve të mbyllur dhe papërgjegjshmërisë të punonjësve të institucioneve, që mund ta shtronin në një prej spitaleve psikiatrik, detyrohet të mbajë vajzën të lidhur me zinxhirë.
Veç vajzës 31-vjeçare e sëmurë mendore është dhe vajza tjetër 33 vjeç, por ajo nuk është agresive.
Nëna e 7 fëmijëve ka mbetur e ve tre javë më parë. E vetme me dy vajza të sëmura, jeton në kontenierin, që i ka dhënë kisha, pasi shtëpinë ja ka dëmtuar tërmeti. I kërkon ndihmë kryeministit, të cilit i ka dhënë e votën.
“I kërkoj Edi Ramës të më bëjë shtëpinë sa më shpejt dhe të më ndihmojë për dy fëmijët e sëmurë, jam shumë, shumë keq.”
I shqetësuar për mbesat është dhe xhaxhai i tyre, që u kthye nga emigracioni për të varrosur të vëllain.
Ky nuk është rasti i parë që mediat konstatojnë persona me sëmundje mendore, jashtë vëmendjes të institucioneve, mbahen të lidhur me zinxhirë nga familjarët. 13 vjet më parë në Maqellarë të Dibrës, babi mbante të lidhura me zinxhirë 2 vajzat. /abcnews.al/