“Po blihen vota”, paralajmëron Duka: Së shpejti PD do të dalë me emra

schedule21:31 - 12 Prill, 2021

schedule 21:31 - 12 Prill, 2021

“Përdorimi i të dhënave të E-Albania për fushatë”, ishte fokusi këtë të hënë në emisionin “Log” me gazetarin Endri Xhafo dhe të ftuarit në studion e “ABC”, Fatmir Mediun, Astrit Patozi, Endri Shabanin dhe Agron Dukën.

Për Agron Dukën marrja e të dhënave është skandaloze, por rikthesoi se vendi ka probleme shumë më të mëdha.

Ndërsa foli për  rrezikun e vjedhjes së votave në qarkun e Durrësit, Duka u shpreh se ende në ditët e sotme, ka persona të cilat nuk janë vendosur para drejtësisë dhe vazhdojnë të blejnë vota në këtë qark.

Gjithashtu ai paralajmëroi se së shpejti Partia Demokratike do të dalë me emra.

“Ky njeri ka para droge e blen vota…Si ka mundësi që këta njerëz nuk vendosen para drejtësisë. Janë dy persona që vazhdojnë të blejnë vota. Së shpejti PD do të dalë me emra. Në atë zonë vijon e njëjta histori, por ka një frymë ankthi sepse në qarkun e Durrësin nuk po e gjejnë veten siç në 2017”, tha Duka.

Nga ana tjetër kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu teksa foli për përdorimin e database të E-Albania, deklaroi se tashmë nga një server shtetëror që ruan të dhënat, janë kthyer në një server partiak.

“Nuk është thjesht çështje telefonatash, por baza e të dhënave. Ligji i vitit 2008 kur përcakton mbrojtjen e të dhënave personale është bazuar në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave. Këëto nga serveri shtetëror ka kaluar në një server partiak”, tha Mediu, ndërsa theksoi se kanë edhe foton e personit.

Gjithashtu Mediu tha se për këtë çështje ka një shkelje të ligjit me qëllim.

“Pra në këtë mënyrë të targeton për të blerë votën,  i është marrë karta e identitetit atij që t’i nuk e blen dot me para”, shtoi më tej ai.

Gjatë bisedës në studio, Endri Shabani tha se kjo debatase identifikon personat që janë kundërshtar me PS-në.

“Një parti përdor të dhënat shtetërore dhe unë nuk e di nëse kanë edhe të dhëna të tjera private që i përdorin për të shantazhuar. Nëse këta e përdorin këtë për stafin  vet apo e hedhin në internet ta përdorin kush të dojë kanë thyer besimin e qytetarëve. Këto janë të dhëna personale, un nuk e di çfarë skandali më të madh se kaq  mund të ketë. Këto kanë edhe profilizime me bindje politike”, tha Shabani.

/abcnews.al/