Këtë të enjte ka vijuar dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme i penduari i drejtësisë, Erion Alibej.
Në dëshminë e tij, Alibej ka thënë: “Jam financues në vrasjen e Dorjan Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhia. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Emiljano Ramazit dhe Regis Runajt. Dhe në vrasjen e Bujar Çelës. Kam qenë i dënuar më parë për trafik droge, në 2010-2011. Për këtë çështje jam arrestuar dhe kam dal nga burgu në 2013. Kemi qenë një grup i dënuar për këtë çështje, mes tyre dhe vëllai im i ndjerë. Vrasjen e Dorjan Shkozës e kërkova sepse me çdo kusht doja Talo Çelën. Nga komunikimi që unë kisha me Nuredinin, unë disa persona nuk i njihja që ishin pjesëtarë në vrasjen e familjarëve të mi. E mësova nga Nuredin Dumani që Dorjan Shkoza ka marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi. Nuredin Dumani me dukej i besuar sepse më korrespondonin të dhënat. Nuredini Dumani nuk më tregoi ndonjë dokument për Dorjan Shkozën, por thëniet e tij më bindën. Lidheshin rrethanat, sepse Nuredini më tha kane qenë dy makina. Ndaj familjarëve të mi është qëlluar me dy automjete. Për vrasjen e Anxhelo Avdia e mora vesh përmes televizorit mos gaboj. Nuk kisha dëgjuar më parë për Anxhelo Avdinë. Nuredini më tha që ai ishte pjesë e grupit kundërshtuar, i Talo Çelës. Enchro Chatin e kam përdorur që kur është hedhur në treg. Rreth vitit 2016-2017 e kam nisur përdorimin”.

