Plori: Bëmë gabime foshnjarake me Kukësin, herët të flitet për titullin

schedule14:18 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 14:18 - 4 Dhjetor, 2020

Vllaznia luan nesër kundër Bylisit dhe trajneri Thomas Brdaric nuk do të ketë të gatshëm dy titullarë, brazilianin Da Silva dhe shkodranin Kruja. Gjithsesi synimi është vetëm fitorja, duke pasur parasysh që kuqeblutë luajnë në shtëpi dhe duhet hedhur pas shpine disfata e pësuar me Kukësin. Sot para mediave ka dalë Elvis Plori, krahu i djathtë i trajnerit gjerman. Ai ka folur fillimisht për humbjen e javës së shkuar.

“Them se e kemi analizuar mirë humbjen me Kukësin. Duhej analizuar për të nxjerrje gabimet, që për mua ishin foshnjarake. Duhet harruar ajo sfidë, pasi kemi ndeshje çdo tre ditë dhe duhet të jemi të qartë për ndeshjen e radhës. Është diskutuar pjesa e stabilitetit në fushë, nuk duhet të rrezikojmë aq shumë. Duhet të jemi me këmbë në tokë, edhe pse Shkodra e do futbollin e bukur. Duhet të jemi më të përgjegjshëm në veprimet sulmuese”.

Plori kërkon vlerësim maksimal për të gjithë kundërshtarët dhe impenjim: “Është diskutuar shumë herë që Vllaznia do shkojë për titull. Është shumë herët, duhet të mbledhim sa më shumë pikë dhe të mos shohim pozicionin. Duhet vlerësuar puna dhe shoku përkrah, që të marrim maksimumin”. Më tej ishte radha për të folur për Bylisin.

“Nuk duhet ta mendojmë që jemi favoritë. Duhet ta mendojmë që Bylisi është një skuadër e fortë. Kanë ndryshuar pak dhe kanë zhvilluar ndeshje të mira edhe vjet, janë një ekip agresiv. Duke e ditur se jemi një skuadër e re, ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe ta vlerësojmë maksimalisht. Tre pikë janë të njëjta me Bylisin dhe me çdo skuadër. Duhet vlerësim maksimal. Normalisht duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Shpresoj që angazhimi të jetë i njëjtë si në stërvitje dhe të mos gabojmë sikurse ndaj Kukësit.

“Marcelino Preka? Më vjen keq jo vetëm që ai largohet nga Shkodra, por edhe të tjerë. Këtë zgjedhje ka bërë për momentin, kjo është situata edhe te ne. Është një problem i përgjithshëm për të gjitha klubet. Hapësirat për të rinjtë janë të pakta. Frika e rezultateve është prezente, duke parë skemën me 10 skuadra në Superiore”, përfundoi Plori. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!