Plazhi i Spillesë, pushuesit shprehen të kënaqur

schedule15:17 - 3 Qershor, 2018

schedule 15:17 - 3 Qershor, 2018

Plazhi i Spillesë në Rrogozhinë ka çelur zyrtarisht sezonin turistik. Prenotimet e para janë bërë nga turistët polake. Ndërsa pushuesit vendas thonë për ABC News se janë rritur standartet në këtë zonë bregdetare në krahasim me vitin e kaluar.

Pushuesit e parë kanë mbërritur në plazhin e Spillesë. Ata vijnë kryesisht nga Shqipëria e Mesme, Maqedonia dhe Kosova.

Kanë qenë një vit më parë në këtë vend dhe janë rikthyer sërish. Pastërtinë dhe qetësinë e vlerësojnë shumë.

Të gjitha bizneset e ngritura përgjatë vijës bregdetare janë më konstrukt druri dhe të rrethuara nga gjelbërimi. Edhe pronarët thonë se janë gati për sezonin.

Ndryshe nga vitet e kaluara, prenotimet e para të dhomave të plazhit janë bërë nga turistët polakë.

Spilleja njihet për detin e pastër, pasi në të,  nuk shkarkohen ujërat e zeza, ndërsa për pastrimin e rërës janë angazhuar punëtorë.

Ndërtimi i 8 kullave të vrojtimit gjithashtu ka përfunduar, madje janë vendosur pranë tyre edhe varka të vogla për të ardhur në ndihmë të pushuesve në raste rreziku në det.

Këtë vit, parashikohet që plazhi i Spillesë të frekuentohet nga 25 mijë pushues në një ditë gjatë muajve Korrik-Gusht. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!