Plazhi i Semanit pa rrugë dhe energji, pronarët: Me sytë nga Zoti, pandemia shkaktoi frikë

schedule17:16 - 14 Qershor, 2020

schedule 17:16 - 14 Qershor, 2020

I lënë në harresë, me frikën e COVID-19 plazhin e Semanit e pret një sezon më i vështirë se zakonisht. Megjithatë bizneset po përgatiten njësoj.

“Ne i mbajmë sytë te Zoti tani, se pandemia ka shkaktuar frikë”, shprehet një qytetar.

Lokalet prej druri po rindërtohen dhe riparohen për të pritur pushuesit. Pronarët e tyre parashikojnë një sezon të zymtë në kushtet kur gjithçka duhet ta bëjnë vetë.

“Me shprese jemi. Nuk janë mundësitë për punë. Nga korona njerëzit janë të frikësuar. Sado të përgatitemi, kemi frikë sepse po bëjmë shpenzime dhe nuk e dimë a do të nxjerrim të paktën shpenzimet”, thotë një pronar biznesi.

Ekipet e punonjësve të Bashkisë së Fierit prej dy javësh kanë nisur pastrimin rërës, por në plazhe pa infrastrukturë si ai i Semanit, kjo nuk është e mjaftueshme.

Ditët me diell që pritet të rikthejnë dëshirën e pushuesve për të vizituar plazhet, mesa duket do të shërbejnë edhe për tharjen moçalishteve. Këto të fundit gjatë dimrit shfrytëzohen për peshkim nga banorët e zonës, por në verë janë pengesë për turizmin

Pretendimi i Bordit të Kullimit se uji i kripur do të prishë pompat e hidrovorëve nëse bashkohet me ujërat e kanalit kullues ka bërë që edhe Bashkia e Fierit të qëndrojë pasive. Kjo situatë i ka lënë shtyllat e energjisë elektrike nën ujë dhe e ka bërë të vështirë mbërritjen e  vizitorëve në plazh.

“Kemi njerëzit tanë, kemi edhe klientët që shprehen se nuk mund të vijnë, rruga shumë e keqe”, shprehet ai.

Plazhi i Semanit është vetëm 18 km larg Fierit. Ai vizitohet nga pushues ditorë nga zona e Fierit, Mallakastrës dhe Beratit. Përpara viteve 90′ frekuentohej masivisht, por mungesa e investimeve çoi në braktisjen e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!