Përktheu Sonila Backa-abcnews.al
NATO po përgatitet zyrtarisht për një luftë botërore dhe këtë e dëshmojnë faktet dhe ngjarjet në nivel ushtarak dhe diplomatik. Gazetarët dhe ekspertët kanë paralajmëruar se bota ka hyrë në një periudhë të re të luftës së ftohtë dhe rreziku i një luftë të re botërore është më pranë se kurrë.
Udhëheqësit e vendeve anëtare, në një samit në Vilnius në korrik, pritet të miratojnë një plan ushtarak sekret, mijëra faqe, duke detajuar për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë se si do të vepronte ushtria e NATO-s në rast të një sulmi nga një fuqi e fuqishme ushtarake dhe aleatët e saj, nga Rusia apo Kina për shembull.
Siç raporton Reuters, i cili zbulon planet në fjalë, kjo është një lëvizje që shënon një ndryshim thelbësor. Për dekada, udhëheqja e NATO-s nuk kishte ndjerë nevojën për të hartuar plane luftarake në shkallë të gjerë, pasi konfliktet kufizoheshin në luftëra në shkallë më të vogël si në Afganistan dhe Irak dhe për më tepër Rusia nuk vlerësohej si një kërcënim ekzistencial.
Megjithatë, me luftën e Rusisë në Ukrainë, më e përgjakshmja në Europë që nga viti 1945, por edhe me rrezikun e një lufte si për shembull në Tajvan dhe Oqeanin Indo-Paqësor, udhëheqja e NATO-s tani duket se vlerëson se nevojiten përgatitjet për një konflikt me një kundërshtar të fuqishëm, raporton abcnews.al.
Dhe në këtë kontekst, aleanca duhet të ketë gati të gjitha planet.
“Dallimi thelbësor midis menaxhimit të krizave dhe mbrojtjes kolektive është ky: nuk jemi ne, është kundërshtari ynë ai që vendos orarin,” tha admirali Rob Bauer, një nga zyrtarët më të lartë ushtarakë të NATO-s, sipas Reuters.
“Ne duhet të përgatitemi për faktin se konflikti mund të ndodhë në çdo kohë.”
Përveç planeve të përmendura, NATO pritet gjithashtu t’u japë vendeve anëtare një udhëzim për përmirësimin e forcave të tyre të armatosura dhe logjistikës së tyre.
Kujtojmë se raportet për industrinë ushtarake tregojnë një rritje të madhe të shitjeve të armëve, me shpenzimet ushtarake që kanë arritur nivele rekord në vitin 2022.
“Aleatët do të dinë saktësisht se cilat forca dhe aftësi ushtarake u duhen, duke përfshirë ku, çfarë dhe si t’i vendosin ato,” tha shefi i NATO-s , Jens Stoltenberg.
Ndërsa shumë elementë të kujtojnë planet e NATO-s para vitit 1990, pra para rënies së Bashkimit Sovjetik, disa faktorë kritikë kanë ndryshuar ndjeshëm Aleancën, e cila që atëherë është zgjeruar me rreth 1000 km në lindje dhe ka rritur numrin e anëtarëve nga 16 në 31 tashmë, raporton abcnews.al.
Vetëm anëtarësimi i Finlandës muajin e kaluar dyfishoi kufirin e NATO-s me Rusinë në rreth 2,500 km, duke lejuar një planifikim operacional më fleksibël në krahasim me të kaluarën, kur Gjermania konsiderohej zona kryesore e betejës.
Planet kërkojnë gjithashtu një rritje drastike të trupave aleate të gatshëm për luftë.
Kujtojmë se në vitin 2022 vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për të vënë në gatishmëri 300 mijë ushtarë, kur në të kaluarën numri i tyre ishte vetëm 40 mijë. Përveç kësaj, parashikohet një përmirësim i konsiderueshëm i logjistikës së nevojshme për dislokimin e shpejtë të trupave.
Kjo ishte një nga arsyet që kreu i NATO-s u bëri thirrje liderëve të vendeve anëtare që të rrisë shpenzimet ushtarake të mbrojtjes. Zyrtarët e NATO-s vlerësojnë se do të duhen disa vite që planet të zbatohen plotësisht, megjithëse ata theksojnë se Aleanca është gati për betejë nëse do të jetë e nevojshme, raporton abcnews.al.
“Ne jemi gati të luftojmë edhe sonte nëse është e nevojshme. Por ju e dini që kurrë nuk jeni ‘mjaftueshëm gati'”, theksoi Hubert Cotero, zëvendës shefi i shtabit në Shtabin Suprem të NATO-s për Fuqitë Aleate në Europë (SHAPE).
/abcnews.al