Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor/ Çano: Shqipëria ka disbursuar pothuajse 160 milionë euro nga fondet e BE-së

schedule20:39 - 24 Tetor, 2025

schedule 20:39 - 24 Tetor, 2025

TIRANË- Drejtoresha e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC), Eridana Çano, në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit në ABC News, tha se Shqipëria ka disbursuar pothuajse 160 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa procesi po shoqërohet me një monitorim të rreptë nga Komisioni Evropian.

Sipas Çanos, çdo hap i reformave që financohet nga BE-ja auditohet me kujdes për të siguruar që fondet e taksapaguesve evropianë po përdoren në mënyrë të drejtë dhe transparente.

“Vërtet janë disbursuar pothuajse 160 milionë euro, por menjëherë Komisioni Evropian, duke qenë se janë paratë e taksapaguesve europianë sjell misionin e auditit. Pra, këto reforma, a janë kryer në mënyrën e duhur.

Të gjithë procesin e shikon si një “vëlla i madh”, i cili na monitoron, edhe sepse duhet parë nëse proceset janë kryer dhe gjithçka që ka të bëjë me hapat e ndërmarra është aty dhe krijon bazën për të ndërtuar reformat dhe për ti pasur këto reformat deri në fund të procesit.”, tha ajo.

Drejtoresha e SASPAC sqaroi se në rastet kur shtetet nuk arrijnë të përmbushin hapat e parashikuar në afatin e caktuar, BE jep një periudhë shtesë prej 12 muajsh për realizimin e reformës. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, fondet e destinuara për atë hap digjen.

“Të gjitha shtetet në momentin që nuk e kapin dot realizimin e hapave, kanë atë periudhën që na jepet prej 12 muajsh, që reforma të realizohet dhe në fakt vlerësimi i Komisionit Evropian ka qenë shumë specifik në secilin hap se çfarë duhet ne të tregojmë për të realizuar reformën plotësisht, nëse nuk arrihet të realizohet sigurisht fondi që është targetuar për atë hap digjet, kurse për vendet që nuk do arrijnë t’i kapin këto afate do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas.”, shtoi ajo.

Ajo theksoi se Shqipëria nuk është në garë me vendet e tjera të Ballkanit, por fokusohet në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe ndihmon vendet fqinje që kanë nevojë për asistencë.

 “Shqipëria është e fokusuar në ato reformat që duhet t’i ndërmarrë vetë. Nuk po bëjmë garë me vendet e Ballkanit, madje jemi këtu, e gjithë skuadra shqiptare është shumë përkrahëse ndaj vendeve të tjera nëse kanë nevojë për asistencë dhe ndihmë, sepse ky raportim i parë tregoi se ne kishim mundësi dhe kapacitete dhe duhet të përmirësohemi në mënyrën se si ne i kryejmë reformat.

Ne të gjithë, ekipi që ndodhet në SASPAC janë duke punuar ne 24 orë, që gjithçka që ne e kemi të planifikuar ta realizojmë deri në fund të procesit, që është qershori 2027 dhe të përthithim çdo cent.  Reformat janë të bazuara në performancë dhe në evidencë”, theksoi ajo.

Më tej, Çano përmendi se reformat janë të bazuara në performancë dhe evidencë, ndërsa ministritë kryesore,  veçanërisht ajo e Ekonomisë dhe Inovacionit, si edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bashkëpunojnë ngushtë me zyrën e kryenegociatores dhe me Kryeministrinë për përmbushjen e parakushteve të vendosura nga BE.

“Kemi bërë hapa, duhet të ndërmarrim ende. Të gjithë ministritë, sidomos ajo e Ekonomisë dhe Inovacionit, por edhe të tjerat që preken si Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë duke punuar si me zyrën e kryenegociatores, si me kryeministrinë për sa i përket realizimit të parakushteve.”, tha ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!