Vëllezërit Agolli përgatitën atentatin ndaj Brian Syzos duke vendosur kamerë pranë Burgut të Drenovës.
Ndryshimi i planeve bëri që sulmi të kryhej në Pogradec.
Rreth katër ditë para atentatit ndaj Brian Syzos, pranë Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë u zbulua një kamerë e vendosur në një prej plepave përgjatë rrugës hyrëse të institucionit.
Sipas burimeve, pas verifikimit të pamjeve filmike dhe hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Korçë, u identifikuan si autorë të vendosjes së kamerës vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.
Hetimet paraprake dyshojnë se kamera ishte vendosur për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos, me qëllim organizimin e një atentati në momentin kur ai do të shkonte për të takuar vëllain e tij, Sindi Syzo, i cili vuan dënimin në Burgun e Drenovës.
Ky i fundit është dënuar për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit në një berberhane.
Sipas të njëjtave burime, ndryshimi i planeve të lëvizjes së Brian Syzos bëri që atentati të mos realizohej pranë burgut, por të kryhej më pas në qytetin e Pogradecit.
Pas ngjarjes, policia arrestoi Nikolla Agollin, i dyshuar si autori i të shtënave me armë ndaj Brian Syzos, si dhe David Priftin, ndërsa në kërkim janë shpallur Edison Agolli dhe Meardi Berberi, i njohur me nofkën “Koro”.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.



