Plagosja e “vrasësit” në Shkodër, identifikohet njëri autor, gjendet “X5” e braktisur

schedule15:47 - 7 Janar, 2022

schedule 15:47 - 7 Janar, 2022

Është identifikuar njëri nga autorët e atentatit në Shkodër ku ka mbetur i plagosur Vinçens Piroli. Në kërkim është shpallur 23-vjeçari Arjon Beqiri banues në lagjen “Partizani”, i cili akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Policia thotë se 23-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm. Katër ditë pas atentatit policia ka gjetur dhe sekuestruar “BMW X5” që dyshohet se është përdorur nga autorët ditën kur iu bë atentati 34 vjeçarit.

Gjetja e makinës është bërë pas marrjes në pyetje të të plagosurit i cili ka dhënë indicie për mjetin. Megjithatë policia e Shkodrës po punon për gjetjen e provave të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarje e cila ende vijon të jetë e mbuluar me mister.

Lexo edhe: Të gjitha lajmet lidhur me atentatin 

Në lidhje me këtë ngjarje, janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, edhe vetë i plagosuri Piroli dhe kushëriri i tij Marjan Marku 29 vjeç, i cili ka transportuar 34-vjeçarin në spital, por nuk ka njoftuar policinë dhe nuk ka kallëzuar për rrethanat e ngjarjes.

34-vjeçari ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar, ku i është komunikuar edhe masa e ndalimit. Përpos hetimit për ngjarjen ku mbeti i plagosur, për Pirolin ka një urdhër arresti nga Mali i Zi për vrasje, por Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me fqinjin verior.

Njoftimi i policisë

Shkodër/Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2022, në lagjen “Bahaçallëk”, Shkodër, ku mbeti i plagosur me armë zjarri, shtetasi V. P. Si rezultat i punës hetimore është identifikuar dhe shpallur në kërkim njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjes. Sekuestrohet mjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi hetimor i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, DVP Lezhë dhe DVP Durrës, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “BMW X5” që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2022, në Shkodër, ku persona ende të paidentifikuar plagosën me armë zjarri shtetasin V. P., 34 vjeç. Gjatë kontrollit të territorit, bazuar në informacionet e grumbulluara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e këtij automjeti, i cili ishte braktisur në rrugën ‘’Hodo Beg Sokoli’’, Shkodër. Ky automjet është marrë me qira nga shtetasi A. B., 23 vjeç, më datë 03.01.2022, dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit.

Në vijim të veprimeve hetimore është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A.B., 23 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër. Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 05.01.2022 janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, edhe shtetasit: V. P., 34 vjeç dhe M. M., 29 vjeç, i cili ka transportuar 34-vjeçarin në spital, por nuk ka njoftuar Policinë dhe nuk ka kallëzuar për rrethanat e ngjarjes. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!