MALËSI E MADHE-Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar, që plagosi me armë zjarri dy persona në Vrakë të Malësisë së Madhe. Bëhet fjalë për Lul Rakaj. Arrestimi i tij u bë disa orë pas ngjarjes së rëndë.
Sipas Policisë, Rakaj, dyshohet se ka qëlluar me armë dy personat në hyrje të një lokali.
Të plagosurit Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
“Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të dy shtetasve në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.
Pas ngjarjes së ndodhur paraditen e sotme në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ku shtetasi L. R., tentoi të vriste me armë zjarri shtetasit B. C., dhe A. H, të cilët mbetën të plagosur, dhe më pas shtetasi L.R, u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete dhe armën e zjarrit, shërbimet e Policisë menjëherë u vunë në ndjekje të tij.
Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.
Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.
Shtetasi L.R, nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi L.R, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar.
Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin ligor të këtij rasti.“, thuhet në njoftimin e policisë.
Akil Kalo, Zv.Drejtor i Policisë Shkodër në një deklaratë për mediat tha se autori i dyshuar, Lulzim Rakaj është vënë në pranga nga forcat speciale të RENEA-s, pas 3 orëve nga momenti i nisjes së punës për kapjen e tij.
“Ju njoftojmë një sukses të radhës në lidhje me një ngjarje që ka ndodhur sot paradite. Shtetasi Lul Rakaj tentoi të vriste dy persona. Autori u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë amrën e zjarrit, me të cilën kreu krimin. Me të njohur këtë fakt shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje të autorit dhe meqë ishte i armatosur, janë vënë në dispozicion forca kombëtare të sigurisë, dhe dy grupe të forcave speciale RENEA. Shërbimet kufitare kanë vijuar punën për mos largimin e autorit të dyshuar.
Pas afro 3 orëve forcat RENEA lokalizuan dhe arrestuan autorin e dyshuar, duke iu kërkuar të dorëzohej. Shtetasi Lulzim Rakaj me gjithë rretheve tentoi disa herë të çantë rrethimin duke përfituar nga koha e keqe, nuk ka mundur të largohej dot. Është vënë në pranga nga shërbimet e policisë.
Shërbimet e policisë po vijojnë punën për gjetjen armës së krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Është ende herët për të folur për motivin e krimit.”, u shpreh Akil Kalo.
/ abcnews.al