Plagosën taksistin/Autorët të dyshuar për plagosjen e Brahimit

schedule11:29 - 20 Dhjetor, 2017

schedule 11:29 - 20 Dhjetor, 2017

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së martës në Himarë, ku mbeti i plagosur një shofer taksie. Sipas njoftimit të policisë dy personat tashmë të identifikuar, e kanë plagosur me armë imituese shoferin, pasi ai refuzoi të devijonte rrugë.

“Dy autorët, tashmë të identifikuar nga Policia, konkretisht, shtetasit K.B., dhe G.Ç., të cilët ishin pasagjer në mjetin taksi me drejtues shtetasin B.G., dhe udhëtonin në aksin rrugor Himarë-Palasë, në momentin që kanë vënë re një pikë kontrolli të ngritur nga Policia në vendin e quajtur ”Ura e Palasës”, të dy këta shtetas kanë detyruar nën kërcënimin e armës imituese shtetasin B.G., të ndërronte drejtimin e rrugës”, sqaron policia.

Drejtuesi i mjetit nuk ka pranuar dhe janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku njëri nga autorët e ka qëlluar me armën imituese duke e lënë të dëmtuar.

Të dy shtetasit e lartpërmendur i kanë marrë vetëm çelsat e mjetit dhe janë larguar duke përfituar edhe prej terrenit dhe errësirës.

Nga hetimet e kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se të dy këta shtetas janë edhe autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 12.12.2017, në hyrje të Orikumit, ku mbeti i plagosur një shtetas.

Ndërkohë Policia po vijon intesivisht punën për kapjen dhe ndalimin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!