Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga ish koloneli Slavko Nikiç, i cili një ditë më parë e ka akuzuar atë për tradhti.
Në reagimin e tij Vuçiç ka thënë se ishte pikërisht Nikiç ai që ka grabitur shqiptarët në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Në një prononcim për mediat serbe, Vuçiç ka thënë se ekzistojnë dokumente zyrtare, të cilat vërtetojnë se më 1 prill 1999, në pikën e kontrollit “Jargova cesma”, në rrugën kryesore Mitrovicë-Ribariç-Rozhajë, Nikiç me gjashtë persona të paidentifikuar, të veshur me uniforma të maskuara dhe të armatosur me pushkë automatike, kanë ndaluar automjetet dhe i kanë plaçkitur udhëtarët “civilët shqiptarë të përndjekur nga forcat serbe”.
Presidenti serb shtoi se Nikiç i ka ndaluar njerëzit, ndër ta edhe një major të ish-ushtrisë jugosllave, komandant i brigadës nga Novi Pazari, “dhe civilët shqiptarë nuk i ka lejuar të shkonin në Malin e Zi, por i ktheu ata dhe u konfiskoi ar, stoli, para dhe sende të tjera me vlerë”.
“Unë jam gjithmonë tradhtar për njerëz si ky (Nikiç), sepse do të mbroj pronën e njerëzve, nuk më intereson se cilit komb i përkasin. Unë kurrë nuk do t’i plaçkis”,tha Vuçiç./abcnews.al