Një 31-vjeçar nga Vlora është arrestuar pasi tentoi të hynte në Shqipëri ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bëhet me dije se 31-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa pritet ekstradimi i tij në Itali.
“Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Roma, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht , 31 vjeçari, banues në Vlorë. Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Italisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Itali, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e policisë.