Pjesë e grupit të Habilajve, “qepet” dosja e Armando Koçerrit: Sa vite burg kërkoi prokuroria

schedule15:15 - 30 Tetor, 2019

schedule 15:15 - 30 Tetor, 2019

15 vite burg kërkoi prokuroria për krime të rënda për Armando Koçerrin. Kjo masë për anëtarin e grupit të Habilajve, shkon në 10 vjet, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sipas prokurorisë, Koçerri kishte rolin e magazinierit për gati 4 mijë kg hashash të sekuestruara në banesën e tij në vitin 2017.

Armando Koçerri, pjesë e grupit kriminal të Habilajve kishte rolin e magazinierit të sasisë  3978 kilogramë hashash që u sekuestruan para 2 vitesh në fshatin Babicë e Vogël të Vlorës. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin e Koçerrit me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet 1/3 e dënimit dhe organi i akuzës kërkoi përfundimisht 10 vite burg.

Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare prokurorët e çështjes u shprehen se në vitin 2017 gjatë arrestimit, infermieri Armando Koçerri kishte me vete 7 aparate celularë me të cilët mbante kontakte të vazhdueshme me bashkë të pandehurit Mojsi Habilaj, Florian Habilaj, Nazar Seiti, Sabaudin Cela.

Gjithashtu organi i akuzës relatoi se në banesën e Koçerrit është gjetur edhe një gomone në pronësi të Florain Habilajt e cila do të shërbente për të kryer trafikimin e lëndës narkotike drejt Italisë.

Prokuroria kërkoi që Koçerri të shpallet fajtorë për 4 akuza; trafikim i lëndëve narkotike i mbetur në tentativë në kuadër të grupit kriminal, grup i strukturuar kriminal, kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal e armëmbajtje pa leje.

I pandehur po ironizonte prokurorët e çështjen brenda kafazit të xhamtë pas përfundimit të leximit të konkluzioneve përfundimtare. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur me herët që të ndante procedimin e Koçerrit nga pjesa tjetër e grupit.

Armando Koçerri është i vetmi pjesëtar i grupit të Habilajve që ndodhet në bankën e të akuzuarve të drejtësisë shqiptare, pasi 8 anëtarë e tjerë të grupit po vuajnë dënimin në Itali.

Seanca u zhvillua pa pranin e kamerave pasi togat e zeza kanë pranuar kërkesën e të pandehurit për të mos u filmuar për shkak të problemeve që kanë shfaqur fëmijët e tij të mitur. Gjykata e Krimeve të Rënda në seancën e 7 Nëntorit do të dëgjojë argumentin e mbrojtjes dhe pritet të japë vendimin për Armando Koçerrin./ABC News Albania