Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të hënë, më 1 qershor, lidhur me debatet e krijuara për projektin në zonën e Zvërnecit, duke kundërshtuar pretendimet se ndërhyrjet prekin Parkun Kombëtar të Vjosës.
Gjatë një deklarate publike, kreu i qeverisë sqaroi se projekti zhvillohet në zonën Vjosë-Nartë dhe jo brenda parkut kombëtar, i cili sipas tij gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes dhe nuk lejon kryerjen e punimeve.
Rama theksoi gjithashtu se ndryshimet ligjore të vitit 2024 synuan rregullimin e ndërhyrjeve të paligjshme në territore të mbrojtura, duke përmendur si shembull edhe situatën në Theth.
“Në vitin 2024 ne kemi bërë një amendim me kryebashkiakët e vendit me një potencial të drejtë të zhvillimit të territorit dhe mbrojtjes. Thethi është një realitet, është një zonë e mbrojtur. Legalizimet janë bërë me këtë ndërhyrje ligjore, sepse është një realitet.
Ndërhyrjet e paligjshme dhe të parregulluar duheshin njëkohësisht rregulluar. Pishë Poro-Nartë quhet Vjosë-Nartë, nuk po shkatërrohet Vjosa. Ky projekt nuk ka lidhje me Parkun Kombëtar të Vjosës, e ka mbrojtjen më të lartë dhe atje nuk mund të bëhen më punime”, u shpreh kreu i qeverisë


