“Pirlo te Juve si Zidane te Real Madrid. CR7? Me i fortë se Ibra e Lukaku”

schedule17:59 - 1 Shkurt, 2021

schedule 17:59 - 1 Shkurt, 2021

Juventusi i befasoi të gjithë verën e kaluar me vendimin për t’i besuar stolin Andrea Pirlos. Aventura e parë si trajner për ish-mesfushorin e madh italian, i cili nuk ka eksperiencë por shumë ide dhe dëshirë për të prodhuar një futboll të bukur dhe sulmues.

Një “bast” i drejtuesve të kampionëve të Italisë, teksa Pirlo fitoi trofeun e parë si trajner pas suksesit 2-0 që djemtë e tij arritën në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Napolit (20 janar). Ish-mbrojtësi i famshëm i Real Madrid dhe Brazilit, Roberto Carlos beson shumë tek italiani.

Në një prononcim për FootballNews24, 47-vjeçari fton Juven që të ketë durim me trajnerin i ri dhe shpreh bindjen se Pirlo mund të kopjojë Zidane. Francezi nuk kishte eksperiencë, kishte punuar vetëm si ndihmës i Ancelottit, por mori drejtimin e Real Madrid (2016) dhe fitoi 3 herë radhazi trofeun e Champions League.

 

Butragueno, Zidane dhe Roberto Carlos gjatë një ndeshje miqësore

Mendoj se duke zgjedhur Pirlon, Juventusi shpreson të përsërisë historinë e Zidane me Real Madrid. Andrea ka nevojë vetëm për kohë, njësoj si Zidane“, deklaron një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të historisë së futbollit. Roberto Carlos ka një koment edhe për Cristiano Ronaldon.

CR7 është sulmuesi më i mirë në Serie A. Mos të harrojmë Ibrahimovic, i cili është një pikë referimi për Milanin dhe po vazhdon të shënojë gola edhe në moshën 39-vjeçare. Edhe Lukaku është një futbollist i madh, ka një stil të veçantë.

Por, duke njohur Cristianon, të cilin e kam pasur edhe shok skuadre, mendoj se është sulmuesi më i mirë në Itali. Ai është një lider dhe mendoj se do të vazhdojë të jetë një nga sulmuesit më të mirë në botë edhe në 3-4 vitet e ardhshme“, përfundoi Roberto Carlos. /abcnews.al