Milani mori një fitore karakteri ditën e sotme. Kuqezinjtë triumfuan 0-2 në fushën e Beneventos dhe vazhdojnë të kryesojnë të vetëm kampionatin italian të futbollit.
“Djalli” luajti me dhjetë lojtarë prej minutës së 34-t (Tonali u ndëshkua me të kuqe), por iu fal rrjetave të Kessie dhe Leao për t’u rikthyer në shtëpi me tre pikë të rëndësishme.
Trajneri i Milani, Stefano Pioli e nis prononcimin e tij për Rafael Leaon, sulmuesin e talentuar portugez. “Jam i lumtur për Leaon, po luan shumë mirë dhe ka vazhdimësi krahasuar me të kaluarën.
Luajtëm me vendosmëri dhe dëshirë të madhe ndaj Beneventos, dua t’i falënderoj të gjithë djemtë. E merituam fitoren. Stërvis shumë lojtarë të rinj, por pres shumë prej tyre.
Tonali? E përqafova në dhomat e zhveshjes, i kuqi ishte gabim i tij, por ndodh. Do e shfrytëzojë këtë ndëshkim për të mësuar dhe për t’u përmirësuar më shumë.
Faulle të tilla duken më të rënda seç duken tani që është VAR-i. Titulli? Vazhdoj të mendoj se Juventusi, Interi dhe Napoli janë më të fortë se ne.
Ndeshja e radhës ndaj bardhezinjve, nuk do të jetë aspak vendimtare për titullin kampion“, përfundon Pioli, i cili heq presionin nga djemtë e tij për duelin e së mërkurës. /abcnews.al

