VLORË- Shpella e shkruar e Lepenicës në Vlorë është një prej zbulimeve më të rëndësishme historike për zonën jugperëndimore të vendit, por edhe në Shqipëri.
Bëhet fjalë për pikturat shkëmbore të gjendura në pjesën e sipërme të saj, të cilat mendohen se datojnë në mijëvjeçarin e tretë para erës sonë ose quajtur ndryshe edhe si periudha e neolitit të vonë.
Shpella të ngjashme janë gjendur edhe në veri të vendit, por ato i përkasin periudhave të mëvonshme, kryesisht në mesjetë. Në brendësi të saj gjenden 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta.
Arkeologu Krediljan Çipa konfirmon se bëhet fjalë për një zbulim shumë të rëndësishëm për zonën, ndërsa fillimisht gjetja dhe dokumentimi I parë I saj daton në vitet 70.
Është mjaft e rëndësishme për vetë zonën, por edhe më mirë e dokumentuar në Shqipëri dhe është e vetmja me të tilla vlera në vendin tonë. Të ngjashme me këtë pikturë shkëmbore janë gjetur edhe në vende të tjera si Spanja apo Bosnja e vende të Ballkanit, ndërsa mendohet edhe si një lloj antauri për besimet e kohës. Kjo tregon edhe faktin se e vendos Shqipërinë në kuadrin e një kulture të gjerë europiane.
Sot ajo ka statusin e mbrojtjes paraprake ndërsa nga monumentet e kulturës në Vlorë, fillimisht në vitin 2019 bashkë edhe me homologë spanjollë dhe më pas në vitin 2023 janë kryer studime, gërmime dhe hulumtime apo edhe një projekt që së bashku me ministrinë, të marrë statusin e trashëgimisë kulturore për vlerat historike që ka.
Natyrisht sipas Çipës ka patur dëmtime nga banorë apo blegtorë dhe nga zjarret e ndezura në të, por ajo ruan mjaft mirë vlerat e saj. Ndaj një thirrje vjen nga arkeologu për ta ruajtur edhe nga vetë banorët.
Fakti që shpella ka ngjallur interes dhe është vizituar nga të huaj pranohet edhe nga banorët. Dritan Rexhepaj banor i Lepenicës pranon se tashmë numri I vizitorëve të huaj është rritur ndjeshëm ndërsa kjo shpellë është edhe një krenari për zonën.
Shpella e shkruar e Lepenicës është një nga zbulimet më të rëndësishme historike. Edhe për shkak të dokumentimit të saj edhe në gjuhë të huaj ka ngjallur interes për t’u vizituar pavarësisht vështirësisë për t’u arritur. Ajo është nga të vetmet në Shqipëri me pikturat shkëmbore që mendohet se daton në mijëvjeçarin e tretë para erës sonë./abcnews.al