Piktura më e shtrenjtë në botë do të ekspozohet në Abu Dabi

schedule16:43 - 8 Dhjetor, 2017

schedule 16:43 - 8 Dhjetor, 2017

Me në fund është mësuar se piktura më e shtrenjtë në botë, “Salvator Mundi”, e shitur vetëm një muaj më parë, tashmë i përket një princi arab. Ky i fundit ka vendosur që ta ekspozojë pikturën e Leondardo Da Vinçit në muzeun e ri të Luvrit që është hapur në Abu Dabi.

“Salvator Mundi”, piktura më e shtrenjtë në botë e shitur në ankand këtë nëntor për më shumë se 430 milionë dollarë do të ekspozohet në muzeumin e ri të Luvrit të hapur në Abu Dabi.
Një goditje marketingu e paparë që u bë e mundur nga një princ saudit. “Salvator Mundi arriti në Luvrin e Abu Dhabi,” shkroi ne Tuiter ky institucion, pa specifikuar identitetin e pronarit të pikturës.

“Urime”, shkroi në tuiter edhe shtëpia e ankandit Christie, e cila organizoi shitjen në Nju Jork të pikturës “Salvator Mundi”. Kjo shitje theu rekordin për pikturën më të shtrenjtë në botë, të mbajtur që nga viti 2015 nga “Gratë e Algjerit” të Pablo Picasso.
Pas ketij ankandi pati plot spekulime në lidhje me identitetin e blerësit të pikturës të shitur nga miliarderi rus Dmitry Rybolovlev. Ky i fundit e kishte blerë në vitin 2013 për 127.3 milion, një çmim që ishte gjykuar i mbivlerësuar.

Pas shitjes se “Salvator Mundit” media të ndryshme thanë fillimisht se ishin dy kompani investimi, të cilat e kishin blerë punimin e Da Vinçit duke vepruar si pjesë e një marrëveshjeje financiare me disa muze të mëdhenj. Dhe pas blerjes u fol se do të ishte rishitur ose do të merrej me qira në muze, veçanërisht në Azi dhe Lindjen e Mesme.
Por ishte New York Times që shkroi se blerësi ishte nje princ saudit, i afërm i princit trashegimtar të kurorës, princit Mohammed bin Salman. Rreth tij ka shumë pak informacione pasi nuk njihet si koleksionist. Bleresi konsiderohet se është një ndër sipërmarrësit më të rinj nga Arabia Saudite i përfshirë në bizneset e telekomunikacionit, pasurive të patundshme, energjisë dhe riciklimit.
Kjo pikturë ishte i vetmi punim nga Leonardo da Vinçi që ende i përkiste një koleksioni privat, pasi të gjitha të tjerat jane pronë e muzeve.
Historia e kësaj vepre e cila është në përmasat 65 cm me 45, e punuar rreth viteve 1500 nga Leonardo da Vinçi, është e denjë për një roman. Disa ekspertë besojnë se ajo mund të jetë urdhëruar nga Gjykata e Francës dhe se më vonë ishte pronë e mbretërve të Anglisë.

Pas rishfaqjes së saj në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ajo ka qenë për shumë kohë e konsideruar si puna e një bashkëkohësi të Leonardo da Vinçit. “Salvator Mundi u shit për 45 paund në Sotheby në vitin 1958. Vetëm në vitin 2005 ajo u vërtetua zyrtarisht se ishte punim i “Leonardo”-s,
Që nga inaugurimi i saj, Louvre i Abu Dabit kishte në muret e saj një tjetër pikturë nga Leonardo da Vinçi, portret i nje dame i njohur me se shumti si “La Bele Feronièr” portet i huazuar nga Luvrit i Parisit që u prezantua si ylli i muzeut të ri. Ne hapjen e Abu Dabit, u ekzpozuan Gjithsej 300 vepra te huazuara nga 13 muze franceze, përfshirë autoportretin e Vincent Van Gogh.

Kostoja e ndërtimit të muzeut te luvrit ne Abu Dabi, e projektuar nga arkitekti Jean Nouvel, fillimisht ishte 600 milionë euro, por objekti pati vonesa te shumta duke shtrenjtuar faturen. Projekti bazohet në një marrëveshje bashkëpunimi për një periudhë 30 vjeçare mes muzeut të luvrit të Parisit dhe atij të Abu Dabit. Vetëm nga koncesioni i emrit të Luvrit deri në vitin 2037 në Muzeun e Parisit do të arkëtohen 400 milionë euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!