Pianistja e njohur tregon si prindërit kuptuan talentin e saj: Ishim 7-vjeçe me motrën binjake dhe nisëm të kërcenim tango

schedule12:20 - 8 Mars, 2023

schedule 12:20 - 8 Mars, 2023

Pianistja e njohur shqiptare, Anita Tartari ka bërë një rrëfim për jetën e saj në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News. Ndër të tjera, ajo ka folur edhe për momentin e parë kur prindërit e saj kuptuan se së bashku me motrën binjake, duhet të merreshin me art.

Anita tregoi se që nga mosha 7-vjeçare, ato nuk u larguan kurrë nga skena deri në ditët e sotme.

Natyrisht që një fëmijë 7 vjeç është zor të të dijë se çfarë do të bëj në jetë. Kështu që janë prindërit ata që përkujdesen dhe ne kemi një çast shumë të bukur në atë moshë. Unë me motrën që jemi binjake, nga që kërcenim dhe këndonim vazhdimisht nëpër shtëpi, prindërit tanë na i dhanë një rrugëzgjidhje këtij pasionit tonë për muzikën dhe na blen një radio dhe na e sollën në shtëpi. Në moment, mamaja e ndez radion dhe ne në mënyrë instiktive filluam të kërcenim. Ishte një tango dhe ne rastësisht kishim atë intuitën muzikore, nuk e di, u kapëm në atë mënyrën muzikore si në tango dhe kërcyem. Në atë moment, prindërit vendosën që ne të bëheshim artiste dhe vërtetë në moshën 7-vjeçe, na mori mamaja përdore dhe na çoi në Liceun Artistik. Konkuruam dhe menjëherë na ndan, mua më mori zysh Lali për piano, kurse motrën për violinë profesor Sofokli Paparisto. Ka qenë një çast shumë i bukur, një moment shumë i bukur fillimi që unë e mbaj mend dhe pastaj ishte rruga e gjatë e gjithë këtij formimi deri më sot.

Në fakt që në 7 vjeç ne na nxorrën në koncertin e fundvitit dhe kjo vazhdoi derisa mbaruam Liceun Artistik. Ishte një eksperiencë e bukur, sepse ne na dha mundësinë që të dilnim në skenë, që është kaq e domosdoshme, qoftë për artistët e vegjël, qoftë edhe më vonë. Karriera ime si koncertiste ka qenë në të gjitha zhanret e muzikës, që mund të jap një pianist, kam bërë edhe solo, edhe solo me orekestër, duo, trio. Diçka që më ka pëlqyer shumë është koncerti me dy piano me studentët e mi”, u shpreh ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!