Pezullimi i katër zyrtarëve të Bashkisë Korçë/ Zbardhet skema e abuzimit, si i favorizonin disa biznese

schedule09:32 - 12 Prill, 2024

schedule 09:32 - 12 Prill, 2024

Zbardhet një pjesë e skemës së abuzimit të 4 zyrtarëve të Bashkisë Korçë, tashmë të pezulluar, të cilët kanë favoriozuar 20 subjekte.

Sipas hetimeve, fillesa e abuzimit për 4 personat e marrë nën hetim për shpërdorim detyre, e ka që në dhënien e lejës së ndërtimit për këto objekte.

Megjithëse këto ndërtime kanë pasur destinacion ekonomik për qëllime biznesi, kryesisht hotelerie kanë paguar taksa për infrastrukturën si ishin ndërtime për qëllime banimi.

Sipas ekspertëve të krimit ekonomiko financiar, diferenca e taksave mes këtyre të dyjave është shumë e madhe. Për banim kjo taksë ështe 3 përqind e vlerës së investimit, kurse për qëllime biznesi taksa është 8 përqind. Pra diferenca është 5 përqind e vlerës se investimit.

Indicien për të nisur një hetim të tillë rreth një vit e gjysmë më parë, zyra e krimit ekonomiko financiar në Drejtorinë e Policisë së Korçës, e ka marrë nga denoncimi i disa bizneseve, të cilët edhe pse kryejnë të njëjtin aktivitet, në të njëjtën zonë, pagesa e taksave dhe tarifave është e ndryshme.

Nga hetimet fillestare, u mësua se pikërisht ndyshimi ishte tek cilësimet që kishte bërë Bashkia e Korçës për këto biznese.

Burime të Prokurorisë së Korçës thonë se pas pajisjes me lejë nga gjykata, kanë filluar dhe përgjimet e 4 drejtorëve dhe përgjegjësit të financës. Në fashikujt e përgjimit dolën dhe raste të tjera, të njëjta me denoncimin e parë, për ndërtesa të tjera në të tjera zona. Megjithëse tarifa ndryshon në bazë të vendndodhjes apo sipërfaqes së ndërtimit, skema e abuzimit mbetet e njëjtë, që deri në këtë fazë hetimi, shpërdorimi kap shumën e 30 milion lekëve.

Prokuroria e Korçës ka marrë nën hetim 4 drejtorët në Bashkinë e Korçës për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe gjykata vendosi massn e sigurimit personal atë të detyrimit të paraqitjes për Zhaneta Lubonja, Drejtore e Urbanistikës; Ermal Gjermani, përgjegjës i zyrës së planifikimit dhe kontrollit të territorit në bashki; Olvis Petro, Specialist buxheti dhe Soniel Prifti, Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe tarifave vendore.

Gjithashtu burime të prokurorisë thonë se hetimet vijojnë për raste të tjera dhe për persona të tjerë nëse ka të implikuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!