Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Petro ‘shpërthen’ ndaj Trump: Po mbështet njerëzit e drogës në Kolumbi!

schedule09:29 - 5 Qershor, 2026

schedule 09:29 - 5 Qershor, 2026

Presidenti në largim i Kolumbisë, Gustavo Petro, sulmoi ashpër të enjten, 4 qershor, presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen që ai i ka dhënë kandidatit të së djathtës së fortë, Abelardo de la Espriella, në garën presidenciale kolumbiane. Petro akuzoi Washingtonin se po rreshtohet në krah të grupeve kriminale që vetë pretendon se i lufton.

Ai reagoi pas mbështetjes së hapur që Trump i dha avokatit Abelardo de la Espriella, i cili në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale do të përballet me senatorin e majtë Ivan Cepeda, aleat i ngushtë i presidentit aktual.

De la Espriella, 47 vjeç, është bërë i njohur si avokat i figurave të lidhura me trafikimin e drogës, grupeve të armatosura, si dhe personazheve të njohur të sportit. Ai shkaktoi surprizë duke dalë fitues në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura të dielën dhe tani do të përballet me Cepedën në balotazhin e 21 qershorit.



Trump e përshëndeti kandidatin kolumbian, duke vlerësuar arritjet e tij dhe mbështetjen që ai i ka dhënë vetë presidentit amerikan.

Petro e quajti ndërhyrje këtë qëndrim të Trumpit.

Në një intervistë për AFP-në nga pallati presidencial, ai deklaroi se “aleatët e Shteteve të Bashkuara në Kolumbi vijnë nga regjimi i lidhur me trafikimin e drogës dhe grupet paraushtarake dhe se ata janë përgjegjës për krime të rënda dhe përfshirje në trafikun e drogës”.

Sipas tij, Trump po ndjek një linjë politike që ndan botën mes atyre që mendojnë si ai dhe atyre që kanë pikëpamje të ndryshme.

De la Espriella ka premtuar se, nëse zgjidhet president, do t’i forcojë marrëdhëniet mes Kolumbisë dhe Shteteve të Bashkuara më shumë se kurrë më parë. Ai mbështetet edhe nga ish-presidenti Alvaro Uribe, i cili prej vitesh përballet me akuza për lidhje me grupet paraushtarake që gjatë konfliktit të armatosur në Kolumbi u përfshinë në masakra kundër mijëra civilëve.

Petro dhe Cepeda i akuzojnë këto grupe për një fushatë sistematike dhune kundër aktivistëve dhe politikanëve të majtë. Mes viktimave ishte edhe babai i Ivan Cepedës, senator komunist, i vrarë në vitin 1994.

Nga ana tjetër, e djathta kolumbiane dhe administrata Trump e akuzojnë Petron se është tepër tolerant ndaj grupeve guerile të majta, disa prej të cilave vazhdojnë të financohen përmes trafikut të kokainës.

Petro shprehu keqardhje që, sipas tij, “ata që pretendojnë se luftojnë trafikun e drogës po ndihmojnë në sjelljen e krimit në pushtetin politik të Kolumbisë”.

Marrëdhëniet mes Petro-s dhe Trump kanë qenë të tensionuara edhe më parë.

Vitin e kaluar, Trump vendosi sanksione ndaj presidentit kolumbian, duke e akuzuar për dështim në frenimin e prodhimit dhe trafikimit të kokainës. Kolumbia mbetet prodhuesi më i madh i kësaj droge në botë.

Dy liderët janë përplasur edhe për çështjen e emigrantëve të deportuar nga Shtetet e Bashkuara dhe për operacionet ushtarake amerikane kundër rrjeteve të trafikut të drogës në Amerikën Latine. Megjithatë, tensionet u zbutën pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë në shkurt.

Zgjedhjet presidenciale në Kolumbi zhvillohen në një periudhë të vështirë, të shoqëruar nga rritja e dhunës, më e larta që prej marrëveshjes historike të paqes të vitit 2016 mes shtetit dhe forcave guerile të FARC-ut.

Edhe pse vendi ka shënuar përparim që nga ajo marrëveshje, shumë zona vazhdojnë të kontrollohen nga grupe të armatosura që luftojnë për rrugët e trafikut të drogës, minierat e paligjshme të arit dhe aktivitetet e zhvatjes.

De la Espriella kundërshton politikën e Petros për dialog me grupet e armatosura dhe premton t’i mposhtë ato me forcë ushtarake. Ndërsa Ivan Cepeda, një nga negociatorët e marrëveshjes së paqes të vitit 2016 dhe mbështetës i strategjisë së “paqes totale” të Petros, zotohet të vazhdojë dialogun dhe të investojë në zhvillimin social të zonave të prekura nga konflikti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!