Tifozët anglezë e kanë përjetuar shumë keq humbjen në finalen e Euro 2020 kundër Italisë, madje vazhdojnë të vuajnë nga ajo disfatë e dhimbshme.
Në ishull ishin përgatitur për suksesin e parë në kontinentin e vjetër, por kombëtarja e kaltër ia doli të festojë në “Wembley” përpara anglezëve të përlotur.
Shumë prej tyre e kanë shfrenuar fantazinë dhe kanë nisur një peticion për rizhvillimin e duelit final! Shkaku lidhet me ekipin kundërshtar dhe arbitrin Bjorn Kuipers. Gjyqtari holandez akuzohet për favorizim të djemve të Roberto Mancinit sipas anglezëve.
Giorgio Chiellini tërhoqi nga fanella Bakayo Saka në sekondat e fundit të kohës së rregullt, veprim për të cilin u ndëshkua me karton të verdhë. “Saka u keqtrajtuar nga Chiellini, i cili duhej larguar me karton të kuq.
Arbitri ishte i njëanshëm dhe favorizoi Italinë, që zhvilloi një lojë të pisët“, lexohet në peticionin online të disa tifozëve anglezë, teksa ka nisur puna për mbledhjen e firmave për të përsëritur finalen e Euro 2020. Absurditet, nga i cili janë distancuar shumë tifozë të tjerë, të cilët kanë pranuar verdiktin dhe rezultatin e fushës.
Gjithsesi, deri tani janë mbledhur 15 mijë firma në sajtin charge.org, aty ku lexohet: “Ndeshja e datës 11 korrik nuk ishte e ndershme. Italia u ndëshkua vetëm me karton të verdhë për trajtimin e lojtarëve anglezë sikur të ishin skllevër.
Italia duhet të kishte marrë karton të kuq në rastin e Chiellinit. Finalja e Euro 2020 duhet të riluhet dhe të gjykohet nga një arbitër i paanshëm“. /abcnews.al