Lista e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” ka përfunduar pas hekurave. Kështu deklaroi këtë të enjte zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko. Ajo ishte e ftuar në televizonin ABC News, ku u pyet nëse policia ka kryer ndonjë goditje të fortë që janë mbështetur nga gjykata.
Sipas zv/ministres goditja ndaj grupeve kriminal është aty ku duhet të ishte megjithëse nuk është perfekte.
“Nëse shihni listën e atyre që quhen si peshqit e mëdhenj të gjithë sot janë mbrapa hekurave. Në track rekord që dërgojmë në BE sekuestrimet janë disa fish. Grupet kriminale që kanë qenë skeduar janë goditur nga policia. Mund të themi që pjesa e aktiviteti goditës është aty ku duhet të ishte. Perfekte? Asnjëherë. Por ka një aktivizim dhe një të qenurit të fortë kundër këtij fenomeni”, tha zv/ministrja.
Problem sipas Kukos është fakti që eksponentët e krimit “hynë nga dera e komisariatit dhe dalin nga dera e gjykatës”. Në mënyrë që të finalizohet lufta ndaj krimit të organizuar, Kuko tha se duhet një ndërmarrje e gjerë mes disa aktorëve.
“Ajo që ndodh është që eksponentët hynë nga dera e komisiariatit dhe dalin nga dera e gjykatës. Duhet ta shohim edhe në optikën e vendimeve që është marrë për këta persona. Lufta kundër krimit të organizuar është një ndërmarrje që kërkon disa aktorë për t’u finalizuar dhe për t’i vënë vulat deri në fund. Nëse ti shkon dhe lufton krimin, ke oficerë police që rrezikojnë jetën e tyre në momentin që kryejnë disa arreste, në qoftë se ke çështje të mëdha angazhon forca, angazhon para sepse janë shpenzime dhe pastaj kur vjen çështja tek vendimi për ta fillon dhe krijohen makinacione. Ku qëndron fajin? Nuk po kërkoj ti hedh fajin dikujt tjetri”, theksoi Kuko gjatë një interviste me gazetaren Mirela Milori.
Intervista e plotë:
/abcnews.al