Një çift pensionistësh nga Tirana janë duke u sorollatur nga një institucion një tjetrin për të gjetur të drejtën e tyre, ndërkohë që një institucion mikrokredie dhe një kompani për mbledhjen e borxheve u janë vënë pas.
Ilir dhe Lindita Bleta iu drejtuan mikrofonit të ABC për të shprehur shqetësimin e tyre, ndërkohë që theksojnë se më parë kanë shkuar në prokurori dhe polici, por askush nuk u ka dhënë një zgjidhje edhe pse çifti deklaron se ndodhen përballë një mashtrimi.
Sipas tyre, “IUTE Credit” pretendon se bashkëshortja Lindita Bleta ka marrë një kredi në këtë institucion mikrokredie disa kohë më parë dhe nuk ka shlyer detyrimet. Më pas, ata deklarojnë se “Iute Credit” ia ka shitur portofolin e borxhit të keq kompanisë “FINAL sh.a”.
Pensionistët thonë për ABC se në fakt ata nuk kanë marrë asnjë kredi te “IUTE Credit” dhe se firma e vendosur në emrin e Lindita Bletës në kontratë është e falsifikuar, por ndërkohë që kanë shkuar për të bërë një denoncim në lidhje me këtë fakt, askush nuk i ka marrë seriozisht, as në polici dhe as në prokurori.
Çifti deklaron se tashmë iu kërkojnë pagesën e një shume prej 170 mijë lekësh të reja duke u kërcënuar dhe terrorizuar me telefonata dhe kërkesa për bllokim pasurie. Siç duket edhe në dokumentet që çifti i ka vënë në dispozicion redaksisë sonë, ndaj tyre është nxjerrë një urdhër ekzekutimi me qëllim mbledhjen e shumës në fjalë përllogari të “IUTE Credit”.
“Na kanë telefonuar dhe kërkuan që të paguajmë një shumë prej 170 000 lekësh të reja sepse thonë që kemi marrë një kredi. Ne nuk kemi marrë ndonjëherë kredi aty (Iute Credit sh.r), unë nuk e di ku janë bankat e jo më të shkoj dhe të marr kredi. Të vish në shtëpinë tonë e kupton në çfarë gjendje të rëndë jetojmë dhe nuk kemi asnjë të ardhur”, rrëfejnë bashkëshortet.
Ndërkohë që ndodheshin përballë presionit për të shlyer shumë në fjalë me telefonata ndaj të gjithë familjarëve, çifti mendon që ta zgjidhë këtë çështje duke bërë një padi ndaj “IUTE Credit” dhe kompanisë “FINAL sh.a”, por kanë ditë të tëra që rendin nëpër rrugët e Tiranës sa në polici dhe sa në prokurori dhe askush nuk i merr seriozisht.
E vetmja shpresë e tyre janë gazetarët.
“Kemi shkuar në polici dhe prokurori dhe askush nuk na dëgjon. Te Krimi Ekonomik na reaguan shumë keq. Folëm me një avokat dhe ai na tha që shkojmë nëpër televizione sepse vetëm kështu mund ta zgjidhim hallin tonë”, tregon Lindita Bleta për mikrofonin e ABC.
Fenomeni negativ i institucioneve të mikrokredisë është tepër i përhapur në vend ku krahas mashtrimeve me kreditë që janë marrë përmes firmave të falsifikuara, hasen edhe mjaft raste të lëshimit të huave në kushtet kur kredimarrësi rezulton të mos ketë asnjë të ardhur siç mund të jetë paga, biznesi, qiramarrja, etj., në mënyrë që të shlyejë kredinë.
Në këtë mënyrë, këto institucione vjedhin të ardhmen e të rinjve shqiptarë me shpresën se një ditë ai ose ajo do të futet në punë dhe në atë moment përmes një urdhri për ekzekutimin e kolateralit t’ia marrin kredinë disa fish.
Kosova mori masa ekstreme ndaj institucioneve të tilla përmes përjashtimit të tyre nga vendi, ndërkohë që në Shqipërië vijojnë të operojnë të pashqetësuara duke u bërë shkak për drama të tilla familjare. /abcnews.al