Gjimnazi “Besnik Sykja” është shkolla më e re e rindërtuar në Tiranë. Me mjediset të dyfishuara, 27 klasa e laboratorë të rinj, palestër e bibliotekë të re, godina e re e gjimnazit ikonë të kryeqytetit u përurua nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj, si dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se shkolla e rindërtuar do të çelë një tjetër etapë të historisë së suksesit të këtij gjimnazi në Tiranë. “Të gjitha shkollat e reja kanë dalë më të medha seç ishin, madje shumë herë më të bukura, por çështja është çfarë bëjmë? Tani i kemi ‘kompjuterët’ [shkollën], por pa ‘softe’ nuk punojmë dot. Tani na duhet më shumë dedikim nga mësuesit. Dikush që do të bëhet si Besnik Sykja, një basketbollist i njohur, apo Dua Lipa e ardhshme, i ka të gjitha mundësitë dhe krahët e hapura për të fluturuar. Por, varet nga ne, sa do i inkurajojmë,” tha Veliaj.
Ai tha se në Tiranë çdo fëmijë ka mundësi të shkojë në shkollë të standardeve europiane, por edhe të ndjekë pasionet e ëndrrat në institucione dedikuar totalisht atyre, një prej të cilave dhe më kryesorja Piramida. “Cinikët dhe skeptikët thonë përditë se ‘ky vend nuk bëhet’. Dakord, ky vend nuk bëhet, por vjet ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ky vend nuk bëhet, por këtë vit jemi Qyteti Europian i Sportit. Thonë ky vend nuk bëhet, por ajo Piramida mblodhi gjysmën e Europës dhe është shkolla më e madhe në Tiranë. Ambicia ime dhe e kryeministrit është që nga 1 Janari ta bëjmë falas Piramidën, në mënyrë që çdo çun dhe çdo gocë në Tiranë, pavarësisht si ia quajnë prindërit, pavarësisht si e ka teserën e partisë, pavarësisht nëse vjen nga Hasi apo Këlcyra, të ketë të njëjtin shans. Pastaj pikën, koshin, golin, secili e bën vetë”, u shpreh më tej Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se ‘Petro Nini’ dhe ‘Edit Durham’ janë dy shkollat e tjera ikonë të Tiranës, të cilat do të rindërtohen në paketën e radhës. “Është koha të bëj një angazhim publik për dy shkolla në qendër të Tiranës, të cilat janë dy shkolla të jashtëzakonshme. Ka ardhur koha që edhe për ‘Petro Nini’-n, edhe për ‘Edit Durham’-in, të bëjmë një garë sepse duam që të ishin shkolla ikonë edhe nga ana e infrastrukturës. Tani që jemi liruar pak, do mbarojë edhe kjo paketë e shkollave, (dy lotet e reja në Astir, në Sauk dhe te zona e Liqenit të Thatë), ndërkohë dua shumë që në Njësinë 5 të vijojmë me dy shkollat ikonë, që në fakt kanë qenë më të mirat të ndërtuara në ato vitet ’60-’70, por sot me shkollat e reja, kanë ngelur pak mbrapa”, deklaroi Veliaj.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, u shpreh se më këtë shkollë të re, Tiranës i shtohet një tjetër xhevahir. “Jam shumë e kënaqur të shoh se si një shkollë tjetër, jo vetëm rehabilitohet me kushtet më të mira, por është një shkollë 100% me standarde europiane. Jam vërtet krenare dhe dua të falënderoj lali Erin dhe Bashkinë e Tiranës për një super investim, që i vlen vërtet gjithë zonës. Njësisë 5 dhe Tiranës i shtohet një xhevahir në kolanën e të gjitha shkollave të reja të rindërtuara dhe kjo është një nga shkollat më të bukura, por mbi të gjitha më të shfrytëzueshme nga pikëpamja e organizmit të shkollës”, tha Manastirliu, duke shtuar se edhe në vitin 2024 do vijojë rritja e pagave për mësuesit.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj tha se gjimnazi “Besnik Sykja” është një shkollë model, njësoj si “Sami Frashëri”, qoftë në cilësi, infrastrukturë, apo në cilësinë e arsimit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti veçoi bibliotekën e re të gjimnazit. “Që kur afrohesh, gjëja e parë që shikon, përtej emrit, është biblioteka, e cila rrezatonte më tepër nga çdo gjë tjetër. Pashë shumë të rinj të entuziazmuar, duke shfletuar Hygonë apo Dino Buxatin, duke diskutuar për konkursin e letërsisë apo pjesëmarrjen në teatro. Më vjen mirë që kjo hapësirë, e cila është një zemër e re, ku duhet të pulsojnë përveç dijes edhe plot aktivitete të tjera, që na bëjnë të gjithëve të ndihemi komunitet”, tha Margariti.
Shkolla “Besnik Sykja” ka 27 klasa të reja, bibliotekë, palestër moderne dhe hapësira të tjera multifunksionale, që do krijojnë lehtësira për nxënësit, mësuesit por dhe komunitetin e zonës.
/abcnews.al