“Personat me aftësi të kufizuar të harruar nga shteti”, Murataj: Shumë prej tyre jetojnë vetëm

schedule23:31 - 8 Prill, 2020

schedule 23:31 - 8 Prill, 2020

Një ndër kategoritë që preken më shumë nga situata e krijuar nga përhapja e koronavirusit janë personat me aftësi të kufizuar.

Sokol Murataj, përfaqësues i shoqatës së paraplegjikëve foli për këtë situatë në një bashkëbisedim me Juli Xhokaxhi në “Byro Politike”.

Murataj tha se kjo kategori është  lënë në harresë nga shteti dhe nuk u është dhënë asnjë ndihmë. Madje ai thekson se një pjesë e madhe e personave me aftësi të kufizuar jetojnë vetëm.

Pjesë nga intervista:

Deri tani shteti nuk ka marrë asnjë masë. Ne nuk kemi asnjë të dhënë dhe asnjë kontakt me shtetin.

Ju kanë marrë kontakteve këtyre njerëzve. A kanë patur dyfishim të kempit sikurse është premtuar?

Absolutisht, deri tani asgjë, asnjë ndihmë. Shumë nga anëtarët e organizatës tonë i kanë kërkuar ndihmë shoqatave sepse po shikojnë që po shpërndajnë ndihma në të gjithë Shqipërinë, por ne jemi të përjashtuar.

Pse janë të përjashtuar?

Nuk e dimë. E di ministria e Shëndetësisë.

Të gjithë kategoritë që ju përmendët më herët, janë njerëz të regjistruar sepse marrin një kemp. Si është e mundur që nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Keni marrë ndonjë përgjigje?

Nga deklarata që ua dërgova të gjithëve, edhe ministria e Shëndetësisë edhe Ramës, edhe Presidentit edhe opozitës, edhe Lulzim Bashës, asnjë përgjigje. Ajo është opozitë duhet të bëjë detyrën. Shqetësimi ynë më i madh është se edhe nga ana shëndetësore këta njerëz vuajnë.

Ka pasur ndonjë lloj asistence me psikologë me këta njerëz që qëndrojnë të mbyllur?

Janë në gjendje fizike dhe psikologjike shumë të rëndë. Unë kam kontakt me dhjetëra dhe shumica e tyre janë të sëmurë për shkak të aftësisë së kufizuar. Dhe janë të rrezikuar se mund të preken nga Covid-19. Shumica e tyre, janë me plagë nga ajo që rrinë ulur, kanë infeksione. Ka edhe të verbër që jetojnë vetëm në këto momente.

Ka që jetojnë vetëm? Sa mund të jetë numri afërsisht?

Nuk kemi ndonjë shifër të saktë. U kemi kërkuar sidomos kryetarëve të bashkisë, dhe sidomos në veçanti njësive administrative sepse ata i kanë lista që të shkojnë ti takojnë. Por po heshtin dhe mua më vret kjo heshtje. Sa persona me aftësi të kufizuar janë prekur nga Covid-19 dhe nuk na kanë dhënë asnjë shpjegim. Nuk ka asnjë shpjegim se si duhet të trajtohen.

 Më thua se ka nga këta të sëmurë që jetojnë vetëm. Sipas ligjit duhet të jetë dikush që të kujdeset për ta ose infermier ose familjarë. Si është e  mundur që jetojnë vetëm?

Kanë nga ata që nuk kanë familje. Tani me 100 mijë lekë kujdestari nuk punon kush me ty dhe në këtë situatë. Pra kjo është situatë e paprecedentë që nuk ka ngjarë ndonjëherë. Një problem tjetër, duam ti bëjmë thirrje edhe organizatave për personat me aftësi të kufizuar që janë krijuar, që të tregojnë vullnetin dhe angazhimin e tyre serioz. Ato fonacione kanë marrë miliona euro fonde dhe sot nuk po duken.

/abcnews.al