Përshkallëzohet kaosi në Libi

schedule21:58 - 5 Prill, 2019

schedule 21:58 - 5 Prill, 2019

Në Libi është përshkallëzuar kaosi që ka përfshirë vendin pasi fraksione të ndryshme ushtarake po përpiqen të marrin pushtetin. Së fundmi është gjenerali Khalifa Haftar që po përpiqet të pushtojë Tripolin, duke sfiduar qeverinë e mbështetur nga ndërkombëtarët.

Libia është përfshirë sërish nga kaosi, pasi në ditët e fundit grupe të armatosura janë vërsulur për të marrë kontrollin e Tripolit, duke sfiduar kështu qeverinë e mbështetur nga OKB. Prej disa ditësh milicitë e gjeneralit Khalifa Haftar janë përfshirë në një betejë me trupat libiane, besnike të kryeministrit Fajez al Sarraj. Ditën e premte përplasje të dhunshme janë verifikuar në jug të kryeqytetit libian, rreth 40 kilometra larg qendrës. Ndërkohë, në luftime janë përfshirë edhe milicitë për mbrojtjen e Tripolit, të cilat kanë rimarrë nën kontroll një postobllok, duke arrestuar 10 ushtarë të gjeneralit Haftar. Situata në vend ka shqetësuar Europën, që përveç rrezikut të përshkallëzimit të situatës i druhet edhe një rikthimi të valës së emigrantëve.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi ushtarak dhe ai retorik i situatës në Libi, që rrezikon të kalojë në një përplasje të pakontrollueshme”, ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Europian. Ai u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të punojnë për të ulur tensionet dhe provokimet. “Nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake të krizës në Libi. Politikanët vendas duhet të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të vendosin interesin kombëtar të parin”, ka shtuar zëdhënësi. Pasi pushtoi jugun e vendit në periudhën shkurt-mars, gjenerali Haftar ka nisur atë që e ka quajtur Operacioni për Çlirimin e Tripolit, pasi trupat e tij hynë pa luftuar në Garian, një zonë e ndodhur 80 kilometra larg qendrës së kryeqytetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!