Protesta e opozitës, e deklaruar si paqësore, nuk mundi që qëndrojë 100 përqind e tillë. Tre protestues u lënduan dhe 11 punonjës policie përfunduan në spital. Pjesëmarrësit në protestë mbërritën të acaruar tek godina e Ministrisë së Brendshme. Humbja e ndjenjave të një protestuesi ndezi gjakrat.
Situata kulmoi, kur protestuesit shtynë një gardh metalik pas të cilit ndodheshin punonjësit e policisë. Forca u prit me forcë nga policët që nuk ngurruan të përdorin edhe shkopat e gomës.
Më herët, tensioni nuk mungoi as tek kryeministria. Pas fjalimit të Lulëzim Bashës, protestuesit sulmuan kryeministrinë me flakadanë shumëngjyrësh. Tymi shtoi kaosin dhe nxehu atmosferën, por kordoni policor nuk u kalua nga protestuesit.
Përvec flakadanëve fasada e godinës u qëllua me bojë të zezë. Boja ishte futur në poca llambash elektrike. Policët e lënduar u vizituan pasditen e së shtunës nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili vlerësoi punën e tyre. Në lidhje me plagosjen e gazatarit Bledi Kasmi Veliu ia la në dorë hetimit të mëtejshëm për të zbuluar nëse ka gabuar policia apo qytetari./abcnews.al