Edi Rama mungoi në seancën parlamentare që u zhvillua vetëm një ditë pasi ai anuloi mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhacka sqaroi Kuvendin se vendimet e qeverisë sonë synojnë vetëm të frenojnë Kosovën për të gabuar edhe më tutje.
“Aleatët dhe partnerët në mënyrë unanime e gjejnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për këtë që po ndodh te Kosova.”
Sali Berisha e akuzoi Ramën se propozoi një draft për asosacionin duke i ngulur një thikë pas shpine Kosovës.
“Ishte ndërhyrja me brutale, në çështjet me delikate ne cështjen më delikate ne punët e brendshme te Kosove. E nxori draftin nga sirtaret e Vucic”
Xhacka njoftoi se kishte folur me komandatin e Kforit lidhur me tre policët kosovarë të arrestuar nga Serbia, dhe se kishte kërkuar që ata të ktheheshin sa më shpejt pranë familjeve. Por Tirana ishte e shqetësuar për kundërpërgjigjen e Prishtinës.
“ I kemi ndjekur me shqetësim edhe deklaratat e qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe, por ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë, pasi jo vetëm përshkallëzon më shumë situatën por edhe do dëmtonte ekonomitë e rajonit por mbi të gjitha ekonominë e vetë Kosovës”
Berisha kërkoi ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, jo thjesht për lirimin e policëve.
“Dënimin e atij që sillet si një fqinje zuzar që nuk njeh ligj të brendshëm e ndërkombëtar, Vucic”
Deputetë të tjerë kërkuan që Kuvendi të ketë një mbledhje të vecantë për të dalë me një qëndrim të unifikuar mbi situatën në Kosovë.