Përplasje mes studentëve të Juridikut

schedule20:12 - 28 Janar, 2019

schedule 20:12 - 28 Janar, 2019

Përplasja mes studentëve të ngujuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe atyre që kërkojnë t’i rikthehen mësimit ka degjeneruar në dhunë fizike këtë të hënë. Dekani i Fakultetit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit mjedise të tjera ku studentët të zhvillojnë leksionet dhe seminaret. Por çfarë parashikon ligji i arsimit të lartë në një kohë kur studentë dhe jo studentë po mbajnë të bllokuar Fakultetin e Drejtësisë?

Kështu nisi e hëna në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Përplasja mes studentëve të ngujuar në mjediset universitare dhe atyre që kërkojnë t’i rikthehen mësimit arriti deri në dhunë fizike. Një prej studentëve të pranishme tregon ngjarjen.

“Dera ishte e hapur po kishim bankat, pastaj disa çuna nga brenda filluan te hidhnin ujë dhe ti hidhnin bankat nga ne. Një bankë më ra në kokë, një vajzë u dhunua. Donin të futeshin brenda ata e goditën”.

A ka pasur dhunë fizike mes jush në mëngjes?

“Mesa di unë nuk ka pasur dhunë fizike se nuk e kemi bërë asnjë ditë këtë gjë dhe nuk do ta bënim sot “

Vetë me studentët po bëhet një luftë që nuk duhet të jetë, se kauza është e njëjtë dhe nuk duhet të sillemi kështu me njëri tjetrin”.

“Edhe policinë e kemi thërritur po është institucion publik dhe nuk lejohet”.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha thotë se për të zhbllokuar situatën ka kërkuar ndihmën e Rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, por ai nuk i është përgjigjur.

Hoxha: “Unë nuk kam akoma një njoftim nga Rektori se çfarë ka biseduar me studentët që kanë ambjentet, i kam çuar dhe një shkresë tjetër sot në mëngjes, por mesa duket edhe ato gjëra që nuk janë kompetencë e jonë janë kompetencë e Autoritetit Qëndror t’i bëjmë vetë. Që nuk janë vetëm studentët e Fakultetit të Drejtësisë apo të universiteteve të tjera, por ka edhe persona që nuk janë fare studentë”.

Ndërkohë ligji ngarkon me përgjegjësi rektorin e Universitetit të Tiranës,  si titullar i tij, për garantimin e paprekshmërisë së institucionit. Neni 5 i ligjit të arsimit të lartë, pika DH, thotë se titullari garanton paprekshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe territoreve të tyre. Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën, ose lejen e titullarit të arsimit të lartë.

Ndërsa neni 34 i Statutit të Universitetit të Tiranës, që përcakton funksionet e Rektorit, në Pikën GJ, shprehet se ai autorizon në rast nevoje futjen e forcave të rendit në mjediset universitare.

Por Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nuk po reagon përballë kësaj situate bllokimi të studentëve për të zhvilluar mësim dhe tensionit të krijuar te mjediset e Fakultetit të Drejtësisë.

Në këto kushte dekani Artan Hoxha i ka kërkuar Ministrisë së Arsimti t’i vërë në dispozicion të tjera mjedise për të zhvilluar mësim.

Hoxha: “Besoj se Ministria do të na ofrojë mjedise të tjera që nuk janë të Universitetit të Tiranës, unë shpresj që duke filluar nga nesër programi mësimor të rifillojë në fakultetin e drejtësisë”.

Ndërkohë mësim nuk po zhvillohet as në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku studentët  kanë dhe mbështetjen e  pedagogëve.

“Ne kemi vazhduar bojkotin dhe pedagogët na janë bashkuar duke mbajtur ligjërime”.

“Nuk kemi pasur asnjë përplasje me studentët që kanë dashur mësim. Ditën e sotme asnjë klasë nuk ka zhvilluar mësim”.

Ndërsa  në Fakultetin e Ekonomisë, sipas studentëve leksionet dhe seminaret zhvillohen normalisht që prej një jave.

“Kemi vazhduar javën e kaluar. Pjesëmarrja është e lartë. Pothuaj të gjithë studentët të pranishëm në leksione e seminare, si para protestës”.

Bojkoti i mësimit vijon dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale, ndërsa tek Shkencat e Natyrës mësimi zhvillohet pjesërisht.

./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!