Përplasja te “5 Maji”, Rama: Nuk është dhunë, i dolën përpara shtetit, ne nuk ndalemi

schedule14:55 - 20 Janar, 2022

schedule 14:55 - 20 Janar, 2022

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme reagoi për herë të parë pas tensioneve dhe përplasjeve mes një grupi banorësh dhe punonjësve të IMT-së dje në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku u shembën disa banesa për t’i hapur rrugë projektit të ri.

Kreu i qeverisë u shpreh se asnjë nuk do të hidhet në rrugë dhe se banorët që protestonin i kishin shtëpitë pa leje. Ai theksoi se askush nuk mund t’i dalë shtetit përpara për të ndalur me forcë.

Të gjithë banorët kanë mundësi të përfitojnë të drejtat që u takojnë. Asnjë banor nuk hidhet në rrugë, por zhvillimi i këtij vendi nuk merret peng nga askush. Nuk është dhunë, por ushtrimi i forcës së ligjit për ata që i dalin përpara shtetit me forcë” tha ai.

Pyetjes së gazetarëve se përse nuk i pyetën banorët e prekur nga projekti i ri, kryeministri tha se janë dëgjuar, por shtoi se nëse do të dëgjoheshin të gjithë nuk do të mund të merrej asnjë vendim.

Është dëgjuar me dhjetëra herë sa për dijeni dhe ajo që duhet t’u interesojë juve është të verifikoni nëse janë hedhur në rrugë të madhe, apo secili me një mundësi tjetër sikur i takon. Këtë duhet të verifikoni ju dhe është kjo e dyta.

Ne do të rindërtojmë të gjitha apartamentet për të pastrehët do të bëjmë një program strehimi më të madh, por askush nuk mund ti imponohet një komuniteti apo shtetit për të mbajtur atë që nuk i takon.

Bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme dhe atyre u është ofruar kompensim. Cfarë mund të bëjmë më shumë se kaq ne? Në demokraci të gjithë e kanë të drejtën për t’u dëgjuar, por nëse dëgjohen të gjithë nuk marrim kurrë asnjë vendim” përfundoi ai./ Abcnews.al