Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për shkak të programit bërthamor të Republikës Islamike ka shqetësuar Izraelin. Ndryshe nga më parë, shteti hebre ka thyer heshtjen duke dhënë alarmin se Teherani mund ta sulmojë nëse tensionet mes dy palëve thellohen më tej.
Qeveria izraelite paralajmëroi të dielën se Izraeli rrezikon të sulmohet nga Irani nëse përballja mes Teheranit dhe Uashingtonit përshkallëzohet më tej. Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit, me presidentin Donald Trump që të enjten u bëri thirrje liderëve të vendit që të ulen me të në tryezë, në të kundërt ai nuk do ta përjashtojë opsionin ushtarak.
Qeveria e kryeministrit Beniamin Netanjahu, që mbështet taktikën e ashpër të Trump ndaj armikut të tij, në përgjithësi ka qenë fjalëpakë në lidhje me spiralen e tensioneve në të cilën janë përfshirë dy vendet. Por duke thyer heshtjen, ministri izraelit i Energjitikës, Juval Shtajnic deklaroi se temperaturat në zonën e Gjirit po rriten gjithnjë e më shumë.
“Nëse do të ketë ndonjë shkëmbim zjarri mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe fqinjëve të tij, personalisht nuk e përjashtoj mundësinë që ata të aktivizojnë lëvizjen Hezbollah dhe Xhihadin Islamik nga Gaza, ose të qëllojnë raketa nga Irani ndaj Izraelit”, deklaroi Shtajnic.
Hezbollah dhe Xhihadi Islamik janë dy grupe guerrilase të financuara nga Irani që veprojnë në kufijtë e Izraelit, ndërsa më parë kanë vepruar edhe në Siri, Liban dhe Palestinë. Ndërkohë, ushtria izraelite refuzoi të komentonte kur u pyet nga agjencia e lajmeve “Reuters” nëse po përgatitet për sulme të mundshme nga Republika Islamike./ABC News Albania 24/7