Përplasjet Presidencë-Parlament janë shndërruar në një rutinë të punës së dy institucioneve. Presidenti i Republikës Ilir Meta është treguar dorështrënguar ndaj disa projekt ligjeve të dërguara nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë.
I pari ka qënë ligji për teatrin, të cilin e ktheu jo një, por dy herë për shqyrtim me argumentin se ishin rreth 9 çështje të cilat sipas tij përbënin shkelje. Në fund kartonat e socialistëve e rrëzuan pretendimin e kreut të shtetit.
Pak ditë më pas presidenti Meta rindezi debatin me shumicën në Kuvend. Ai vendosi të mos dekretojë ligjin që redukton barrën fiskale për industrinë e lojërave të fatit. Për Ministrin e Financave dekreti i Presidentit ishte qesharak.
Ahmetaj: “Unë besoj se në dekretin e presiddenti ka një keqkuptim, dikush që ka detyrë të jetë më dilixhent me letrat e ka këshilluar Presidentin në këndvështrimin tim gabim”.
Kolegët deputetë e mbështetën duke e rrëzuar dekretin e Presidentit me 74 vota pro.
Nuk tërhiqet Kryetari i Shtetit. I ndikuar edhe nga protestat e studentëve ai kërkon rishikimin e buxhetit të vitit 2019. Përsëri ndesh në kundërshtimin e mazhorancës socialiste.
Ahmetaj: “Besoj se është një kontribut më i madh sesa të kthesh buxhetin e shtetit që është i furnizuar me të gjitha instrumentat dhe shumat për arsimin e lartë. Do të ishte që njëllos si kryeministri dhe ne këtu të kërkonte dhe ai dialog midis studentëve dhe qeverisë”.
Ligji më i fundit që rrëzoi parlamenti është ai për tatimin mbi të ardhurat që ndër të tjera cënon barazinë e biznesit në vend- argumeton institucioni i Presidencës. Por deputetëve socialistë i ka mjaftuar një ditë për ta hedhur poshtë këtë dekret.
Jo vetëm i habitur por as nuk do që ta besojë Kreu i Shtetit se 24 orë janë të mjaftueshme për të rrëzuar një dekret të Presidentit.
Meta: “Nuk e besoj të ketë ndodhur se ka rregulla mjaft të qarta se si funksionohet në Kuvend në raste të tilla, dhe përfaqësuesit e Presidencës ende nuk janë ftuar për të dhënë shpjegimet dhe argumentat e tjera”.
Përplasja që do të mbahet mend më gjatë është ajo me Kryeministrin Edi Rama për dekretimin e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj. Pas një rruge të mundishme, fundi rezultoi i lumtur për Kryeministrin, por shija që la pas duket e hidhur për deputetët e mazhorancës. /abcnews.al