“Përpara 10 vitesh, publiku nuk vinte në teatër“, Demaj: Tashmë e vlerëson më shumë se kinemanë

schedule10:54 - 1 Nëntor, 2023

schedule 10:54 - 1 Nëntor, 2023

Regjisorja dhe drejtoresha e Teatrit të Metropolit, Armela Demaj ka deklaruar se dramat e arkivit të autorëve shqiptarë duhen risistemuar.

“Autorët shqiptarë kanë grimca dhe spunto, shkëndija shumë të bukura vende-vende, por që kanë nevojë për zhvillimi dhe një lloj risistemim. Një pjesë e tyre, nuk i përgjithësoj, autorët e shkuar shqiptarë. Ndërsa, autorët e sotëm shqiptarë siç patëm veprën e Jeton Nezirajt, e cila është një vepër e plotë, ngjarja është e plotë me karakteret që i nevojiten, personazhet kanë thellësinë e duhur”.

Gjatë intervistës në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ajo u shpreh se tashmë gjërat kanë ndryshuar në teatrin shqiptar. Sipas Demajt, ndryshe nga 10 vite më parë, sot publiku ka një interes më të madh për teatrin. Ajo ka theksuar se shpreson që një ditë brezat e ardhshëm të arrijnë të punojnë aq sa që të mos kemi një diferencë mes teatrit shqiptar dhe atij në Europën Perëndimore.

“Mendoj që sot ekziston nevoja që ne të gjithë të njohim problematikat, të dimë ku jemi, ku qendrojmë, të dimë cilat janë mangësitë dhe limitimet që ne kemi, sepse është vetmja mënyrë që ne mund të hedhim hapin e radhës se ku jemi në të vërtetë.

Unë kam ndjerë që përpara 10 vitesh, publiku nuk vinte në teatër dhe kjo për arsye të shumta, edhe për arsye të ofertës që ne ofronim dhe për arsye të zhvillimeve social-kulturore të jetës së një individi shqiptar. Në këtë dhjetëvjeçarin e fundit publiku ka ardhur duke u shtuar në teatër dhe kjo është një shenjë shumë e mirë, sepse kjo tregon që publiku do të kultivohet, do të rritet, do të njohi më mirë teatrin. Vlerëson artin e gjallë në skenë, ndryshe nga arti i kinemasë, i cili është po prapë aq i bukur, por ka një tjetër shije. Patjetër që kjo e ngjit dhe aktorët dhe regjisorët të rrisë veten. Patjetër ne kemi shumë rrugë përpara. Unë shpresoj që brezat që do të vijnë ta ndjekin dhe ta arrijnë që ne të mos kemi më një diferencë mes teatrit të Gjermanisë dhe teatrit tonë apo të Zvicrës. Gjë që sot e kemi dhe duhet ta pranojmë. Kjo vjen si pasojë e gjithë jetës sonë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!