Përmirësohen financat e bizneseve/ BSH: 94% e ndërmarrjeve të vrojtuara kanë raportuar fitim

schedule13:24 - 1 Maj, 2024

schedule 13:24 - 1 Maj, 2024

SHQIPËRI- Bizneset në vend duket se kanë tejkaluar krizën e çmimeve dhe të rritjes së normave të interesit që kane shtrenjtuar këstet e tyre të kredive.

Banka e Shqipërisë ka realizuar një vrojtim mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh të ndërmarrjeve” nga ku ka rezultuar se rreth 94% e ndërmarrjeve kanë raportuar fitim.

Po ashtu  shumica dërrmuese e bizneseve deklarojnë se ecuria e shitjeve dhe e rezultatit financiar vlerësohen pozitive krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës.

Pritjet mbeten optimiste dhe në të njëjtin trend edhe për gjysmën e parë të vitit 2024, të tre grupet e ndërmarrjeve (të vogla, të mesme dhe të mëdha) presin rritje të mëtejshme të shitjeve dhe të rezultatit financiar.

Megjithatë  bizneset raportojnë edhe  disa problematika që lidhen me gjetjen e tregut, rritjen e kostove të prodhimit dhe të punës, si dhe me gjetjen/ruajtjen e stafit të kualifikuar.

Kjo ka nxitur edhe rritjen e pagave në sektorin privat por përsëri mbetet pas shtetit. Sipas Bankës së Shqipërisë rritja e pagave në sektorin privat është rreth 12% dhe në sektorin publik rreth 18%.

Po ashtu edhe pesha e kompanive që  kanë hua për të paguar ka rezultuar në rënie.

Rreth 36% e subjekteve deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar por kjo peshë ka rënë me 2 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 3 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më pare.

Rezulton se sektori I shërbimeve ka pësuar uljen me të madhe të huave që ka për të paguar e ndjekur nga tregtia. Kjo ecuri lidhet direkt me ecurinë e sektorit të turizmit.

Rreth 87% e ndërmarrjeve e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes, por ndërmarrjet e vogla shfaqin kërkesë më të lartë për financim.

Huamarrja është realizuar vetëm në monedhën vendase për 61% të ndërmarrjeve të vogla, 58% të ndërmarrjeve të mesme dhe 43% të ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që pjesa tjetër është në valutë ose e kombinuar.

Bizneset presin që kërkesa e tyre për kredi të mbetet e qëndrueshme gjatë gjysmës së parë të vitit 2024./ abcnews.al