Përmeti: Lejo diskutimet normale në Kuvend! Ruçi: Janë rritur të infektuarit, jo shkujdesje

schedule10:26 - 2 Korrik, 2020

schedule 10:26 - 2 Korrik, 2020

Deputeti Andi Përmeti i kërkoi Gramoz Ruçit që të lejojë rikthimin e diskutimeve normale në Kuvend për çdo ligj, pasi situata e fatkeqësisë natyrore përfundoi.

“Kemi më shumë se një javë nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme por përsëri nuk e kemi të drejtën e fjalës. Ju sillni 15 ligje, ndërsa ne kemi 2 minuta koha, 8 sekonda për një ligj për të folur. Kjo është tallje. Unë e mirëkuptoj situatën e vështirë të COVID-it, por ne këtu futemi në një sallë 150 frymë me ajër të kondicionuar, dhe rrimë 4 orë. Unë sfidoj çdo mjek që thotë se nëse rrini 4 orë nuk sëmureni dhe nëse rrini 5 sëmuremi. Prandaj riktheni diskutimet. Nëse parlamenti nuk diskuton, atëherë është si ai para 1990. Ju i pari”, u shpreh ai.

Megjithatë, ashtu si javën e kaluar, Ruçi ishte i prerë, kur tha se seancat do të vijojnë në këtë mënyrë, pasi disa akte normative janë ende në fuqi, pavarësisht mbarimit të gjendjes së fatkeqësisë, por edhe faktit që numri i të shtruarve dhe infektuarve është i lartë.

 “Unë më shumë respektoj mendimet e ekspertëve, si të vendit tonë ashtu edhe ndërkombëtarëve. Parlamenti i Shqipërisë bën më shumë në zbatim të gjitha masave. Vërtetë ka rënë gjendja e jashtëzakonshme, por disa akte normative janë në fuqi. Pastaj 70-75 janë të shtruar në spital, nëse numri i të infektuarve ishte më i vogël, tani është rritur, prandaj shembulli më i mirë duhet të jemi në kuvendarët, prandaj nuk është koha të shkujdesemi”, tha Ruçi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!