Përmbytja në Vlorë, kryebashkiaku Leli: Kështu do të vazhdojë

schedule14:50 - 6 Maj, 2019

schedule 14:50 - 6 Maj, 2019

Kryetari i Bashkisë Dritan Leli tha se Vlora do të vazhdojë të përmbytet përsa kohë nuk kanë përfunduar punimet në bulevardin kryesor. Ai u kërkoi banorëve që në ditë me shi të mos qarkullojnë me mjete.

Në 40 ditë Vlora është përmbytur tri herë nga reshjet e shiut. Por kryebashkiaku i këtij qyteti nuk dha asnjë shpresë për banorët. Dritan Leli tha se kjo situatë do të vazhdojë derisa të mbyllet projekti për rikonstruksionin e bulevardit kryesor.

Leli: “Situata deri sa të stabilizohen të gjitha lidhjet e bulevardit “Ismail Qemali” do ketë problematika deri në përfundim të këtij projekti”.

Leli u ka kërkuar banorëve të territorit që ai qeveris, ta mirëkuptojnë. Ai u tha se kur ka reshje shiu të mos përdorin mjete, ose të minimizojnë lëvizjet kryesisht në rrugët problematike.

Leli: “Do të doja që kur ka shira dhe bashkia e Vlorës njofton qytetarët që të jenë të kujdesshëm, mos përdorin transportin, të mënjanjojnë këto rrugë problematike dhe të dekurajohet lëvizja kur ka shumë shira”.

Të dielën rrugët dhe lagjet e qytetit jugor u përmbyten plotësisht. Uji ka qëndruar në sipërfaqe për më shumë se pesë orë. E po për kaq kohë çdo gjë u paralizua. Mjetet nuk qarkulluan dhe këmbësoret u mbyllën në shtëpi.

Projekti për bulevardin do të vazhdojë gjatë dhe nuk ka gjasa që ai të përfundojë për këtë sezon turistik.

Është folur që në qershor të hapet një anë e tij, thjesht si rrugë kalimi, por kjo nuk do të ndikojë për mirë kur Vlora të përfshihet nga reshjet e shiut. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!