Përmbytjet, Rama: Ja kush dëmshpërblehet, pjesa e madhe e tokave nën ujë, joproduktive

schedule13:07 - 15 Janar, 2021

schedule 13:07 - 15 Janar, 2021

Kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për mediat lidhur me menaxhimin e përmbytjeve në vend. I pyetur nga gazetarja e ABC, Esiona Konomi nëse do të ketë dëmshpërblime për banorët e prekur, Rama tha se do të veprohet sipas ligjit.

“Sipas ligjit, sigurisht, numri i banesave të dëmtuara është minimal, u takon bashkive të bëjnë inspektimet. Ne do bëjmë pjesën tonë. Në Obot është garantuar ushqimi për bagëtitë nga ministria e Bujqësisë.”

Sipas kreut të qeverisë, pjesa më e madhe e tokave bujqësore të përmbytura janë joproduktive.

“S’ka dëme të konsiderueshme. Ato që janë ligjërisht të konsiderueshme, do dëmshpërblehen.”

Kurse duke folur për krahasimin që bëhet me përmbytjet e viteve të tjera në vend, kreu i qeverisë shpjegoi se kjo bëhet për të treguar punën e bërë.

“Krahasimet me vitin 2010 bëhet se kemi pasur një sasi reshjesh, apokaliptike. Një moment shumë kritik. Jo për të bërë vetëm krahasime qeveri me qeveri.Na bën mirë kujtesa. Jo çdo gjë e ka në dorë robi. Përmbytja e Parisit, kërcënoi edhe koleksionet e Louvre-t.”

Ndërsa, sa i përket përmbytjeve në Vlorë, Rama tha se ka akoma ndërhyrje për t’u bërë në këtë qytet.

“Përveç faktit që ka akoma tre ndërhyrje për të bërë për të mbyllur ciklin e investimeve. Kini parasysh efektin e lavamanit.  Dora e robit duket për sa kohë ikën uji.  Ne e dimë që do këtë momente të vështira. Uji që qëndronte me javë ishte dora e robit, paaftësia e robit. Kemi bërë kanalizime aq sa s’janë bërë në gjithë vitet bashkë. Ka akoma më shumë për të bërë. ” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!