Përmbyten rrugët në lagjet periferike të Elbasanit, banorët: Askush nuk i ka dhënë zgjidhje

schedule17:08 - 22 Dhjetor, 2019

schedule 17:08 - 22 Dhjetor, 2019

Stuhi të pazakonta shiu kanë përfshirë edhe Qarkun e Elbasanit. Për pasojë ka pasur vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore. Në aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë, ka pasur herë pas here rrëshqitje të gurëve dhe inerteve nga malet. Problematike nga përmbytjet situata paraqitet në disa lagje të qytetit të Elbasanit, kryesisht periferike. Banorët e lagjes “NSHU” thonë se kanë vite që përballen me një problem të tillë, por asnjë ndërhyrje nuk është kryer për t’i dhënë zgjidhje.

Banorët thonë se ky problem është shqetësues prej vitesh dhe se uji u futet në banesa dhe u përmbyt gjithçka përreth. Ata shprehen se kanë frikë edhe për fëmijët kur ikin në shkollë. Megjithëse e kanë ngritur disa herë shqetësimin, askush nuk ka ndërhyrë, ose edhe nëse është ndërhyrë, riparimet kanë qenë pa rezultat. Përmbytje si pasojë e reshjeve ka pasur në rrugët dytësore që lidhin fshatrat me qendrat urbane për shkak të prurjes së përrenjve. Ndërkohë dy lumenjtë, Shkumbini dhe Devolli kanë rritur ndjeshëm prurjet.

Për Devollin, liqeni i Banjës shërben si stabilizator dhe nuk bëhet fjalë për përmbytje. Ndërsa Shkumbini paraqet rrezik në orët në vazhdim nëse reshjet vazhdojnë me intensitet të lartë. Në lartësitë e maleve dhe në zonat e thella malore në Qarkun e Elbasanit kanë nisur edhe reshjet e dëborës./abcnews.al