Humbje shokuese e Le Pen, fiton e majta, Macron ngjitet i dyti

schedule20:18 - 7 Korrik, 2024

schedule 20:18 - 7 Korrik, 2024

Rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare në Francë ishin surpriza dhe skenari më i papritur.

Fronti i Ri Popullor, një koalicion i të majtës u rendit forcë e parë duke dërguar në vendin e tretë Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen, forcën politike që sondazhet deri në minutën e fundit të mbylljes së procesit zgjedhor e tregonin fituese të këtyre zgjedhjeve.

Ndërsa rezultatet finale priten në orët e para të mëngjesit të së hënës sondazhet tregojnë se Fronti i Ri Popullor duke përfshirë të majtën ekstreme do të arrijnë që të sigurojnë në Asamblenë kombëtare nga 177 në 192 vende.

Centristët e Emmanuel Macron renditen të dytët dhe pritet të marrin nga 152 deri në 158 mandate. Tubimi Kombëtar I Ekstremit të djathtë dhe Marine Le Pen duhet të presin për të bërë histori pasi u shpallën force e tretë sipas sondazheve paraprake dhe sipas sondazheve ato pritet të marrin nga 138 deri në 145 mandate.

Pas shpalljes së rezultateve Marinë Le Pen në reagimin e saj të parë bëri të qartë se nuk do të dorëhiqet duke iu thënë mbështetësve të së djathtës ekstreme se duhet të presin 2027 për të arritur që të sigurojnë fitoren të cilët të gjithë ëndërruan.

 “Jam e zhgënjyer sepse kam shumë përvojë për t’u zhgënjyer nga një rezultat ku po dyfishojmë numrin e deputetëve. E di që këto rrethana do të jenë rrethana fituese gjatë zgjedhjeve të ardhshme legjislative. Pra, batica po rritet. Nuk u ngrit mjaftueshëm këtë herë, por vazhdon të rritet. Dhe për këtë arsye fitorja jonë është në të vërtetë është fitore e ndryshme. Deri para disa ditësh menduam se kjo fitore ishte afër dhe disa prej nesh e shpallëm këtë fitore. Thuajuni mbështetësve tanë qe të presim deri në vitin 2027”, ka thënë Le Pen.

Nga ana tjetër,  Jordan Bardella 28-vjeçari i cili kishte shpresë se me Tubimin Kombëtar dhe të djathtën ekstreme do të behej Kryeministri i Ri i Francës, u duk se nuk e pranoi lehtë humbjen. Mes rreshtash në deklaratën  e tij ai tha se ky rezultat është i papranueshëm për popullin francez duke lënë të nënkuptuar  thirrjen e tij për protesta masive.

“Unë them sonte me forcë se privimi i miliona francezëve nga mundësia për të parë idetë e tyre të sillen në pushtet nuk do të jetë kurrë një fat i zbatueshëm për Francën.  Ne jemi alternative  e vetme. Sonte, duke u përpjekur qëllimisht të paralizojë institucionet tona, Emmanuel Macron nuk e ka shtyrë vendin thjesht drejt pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë, ai e ka privuar popullin francez nga çdo përgjigje ndaj vështirësive të tyre të përditshme për shumë muaj në vijim.”, është shprehur Jordan Bardella.

Rezultatet tregojnë se asnjëri grupim politik në Francë nuk arrin dot që të sigurojë shumicën prej 289 deputetësh për të qeverisur të vetëm, në Asamblenë Kombëtare me 577 vende.  I vetmi që nuk reagoi nga Liderët Politikë Francez pas sondazheve Paraprake ishte Presidenti i vendit dhe përfaqësuesi i koalicionit centrist Emmanuel Macron.

Macron, partia  e të cilit u rendit force e dytë në këto zgjedhje duke se po kërkon koalicion me Frontin e ri Popullor. Kjo është ajo çfarë shkruajnë mediat franceze pasi menjëherë pas sondazheve kryeministri aktual Gabriel Attal tha se do ti dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit.

Shtypi ndërkombëtar, por jo vetëm i konsideruan rezultatet e zgjedhjeve parlamentare këtë të diel në Francë , “një shuplakë” nga populli e cila do të mbahet mend gjatë nga e Djathta Ekstreme.

/abcnews.al/