Përkujtohen viktimat e kampit në Tepelenë, Meta: Të reflektojmë

schedule10:18 - 24 Gusht, 2018

schedule 10:18 - 24 Gusht, 2018

Kujtimi i të internuarve dhe viktimave të kampit famëkeq në Tepelenë u nderua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Kreu i Shtetit kërkoi më tepër reflektim për krimet e komunizmit në këtë ditë përkujtimore.


Nga viti 1949 deri në vitin 1953 kampi i Tepelenës funksioni si kamp internimi. Këtu u persekutuan rreth 3 mijë familje të kundërshtarëve të diktaturës, ndërsa humbën jetën 300 fëmijë. Të persekutuar dhe familjarë të tyre sjellin kujtimet e asaj kohe.

Presidenti i Republikës apelon për të mos harruar! Kreu i Shtetit Ilir Meta ishte i pranishëm në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë.

Aktiviteti u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

“Keqinterpretimi i historisë mund të nxisë urrejtje dhe racizëm, ndërkohë që pajtimi mund të arrihet vetëm përmes nxjerrjes në dritë të të vërtetës, nëpërmjet transparencës së fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura në këto kampe vdekjeje”.

Titulli i librit të At Zef Pllumit ”Rrno vetëm për me tregue” i erdhi në ndihmë Presidentit të Republikës në argumentin e tij

“Siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë. 

Pajtimi, gjithashtu, mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes. 

Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre“.

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën (pas vdekjes); zonjën Mrikë Gjikola; zonjën Gjelë Gjikola si dhe zotin Lekë Pervizi në shenjë nderimi e respekti, për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatava dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!