Përjetim si të kish’ ndodhur sot! Braçe kujton tërmetin: Bënim bilancin e jetëve në Thumanë

schedule10:01 - 26 Nëntor, 2020

schedule 10:01 - 26 Nëntor, 2020

Një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit përjetimet nuk janë shuar në zemrën e gjithsecilit që u zgjua nga një lëkundje që të ngjallte frikë për jetën dhe pa me sy tmerrin që përjetuan të shpëtuarit nga rrënojat. Zv. kryeministri Erion Braçe i kujton me detaje të gjitha veprimet që bëri mëngjesin e asaj dite tragjike.

Ai kthehet pas në telefonatën e parë që bëri dhe bisedat në grup me kolegët ministra për të koordinuar punën e misionit të shpëtimit. Braçe shprehet se 50 minuta pas tërmetit u gjend në Thumanë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, toka kishte rënë në heshtje me shpresën për të shpëtuar jetë nga rrënojat.

“Thumanë një vit më parë, dielli do lindë përsëri! Mëngjesi im në 26 nëntor të një viti më parë ishte i tillë! Nuk kisha qenë më parë në Thumanë. Një muaj më herët për shkak se Lumi Zezë e Ishmi kishin dalë nga shtrati kishin mbuluar autostradën, për më tej kalova nga rruga e vjetër mes Thumanës por kaq.

Profesor Llambro Duni, në 4:05 më precizoi epiqendrën e tërmetit që kish nxjerrë 60% të Shqipërisë në rrugë, Durrësi, Kruja përballë e çka përreth.
Të parit i telefonova Artur Bushit, kryetarit të Krujës. Po shkonte në Thumanë, shtëpinë e tij. Pse atje- e pyeta. Më nxorën njerëzit e më thanë që ka rënë një pallat, po shkoj atje. U kërkova të nxitonte e të më thoshte sa mbërrinte.

Valbona Sako, kryetarja e Durresit ishte nën shok, edhe ajo në rruge me familjen; I kërkova të shkonte në zyrë bashkë me ta. Roland Nasto, prefekti i Durrësit ishte në rrugë gjithashtu, po verifikonte gjendjen; i kërkova të shkonte në bashki.

Telefonatat i ndërpreu Artur Bushi, kishte mberritur në Thumanë: “Është katastrofë”-tha dhe dëgjova të ngashërente. As e vura re që po bërtisja, ma kujtoi një komshi sot në mëngjes;
Turo mos u dorëzo, më dëgjon apo jo, mos u dorëzo, po u dorëzove ti kush do i shpëtoj ata njerëz! I kërkova të mblidhte mjete për të nisur shpëtimin.

Ardi Veliu, drejtori i policisë ishte në zyrë, nuk më tregoi që godina qe bërë copash; Thjesht, më tha se FNSH e Tiranes po mbërrinte në Durrës. I kërkova njerëz për Thumanën. Kish nisur instiktivisht për poshtë FNSH e Shkodrës dhe i kërkova t’i ndalonte ne Thumane, sa me parë.

Olta ishte ne zyre dhe ushtria po behej gati te lëvizte. Ogerta po mberrinte ne spitalin Ushtarak, ndërkohë urgjenca po mbërrinte e shumtë në Durrës; Kerkova njerez e ambulanca per Thumanen. Të gjithë po komunikonim me njeri tjetrin ne grupin e Qeverise. Pa e kuptuar isha ngjitur ne shtepi, isha veshur, kisha puthur te mite dhe isha ne rruge; Une ne Durres, ti ne Thumane-e ndau Belinda. Edi Rama qe shihte tensionin ne cdo fjalë, kërkonte qetësi dhe organizim, siguri dhe efikasitet ne qendër të tragjedisë.

Pas 50 minutash isha ne Thumane, dielli nuk kish lindur, buze rruges ishin dy km me eskavatore e mjete, ambulancat kishin hyre me thelle, mjeke e infermiere po ashtu, djemte e FNSH te Shkodrës ishin poshtë pallateve të rrënuar, Besnik Bami me gjithë punëtorët e tij kish nisur kërkimin në rrënoja, specialet po i ndihmonin duke gërmuar me duar dhe imponuar heshtje për të dëgjuar zëra, ushtria sapo mbërriti dhe hyri në veprim; Rrapush Tola me Jordanin, njerëzit më të specializuar në kërkim e shpëtim prej ngjarjeve në miniera morën kontrollin e kërkim shpëtimit, ministri i Brendshëm organizoi gjithcka, puna nisi te funksiononte;

Toka u trondit edhe një herë shumë fort, por dielli lindi sërish! E gjithe Thumana ishte në heshtje, heshtje; Shume njerëz po vinin në ndihmë, sa shumë njerëz te mirë, kishin lënë shtëpitë e tyre dhe ishin aty;

I kërkova Turit të identifikonim banoret e tre pallateve, gjendja civile dhe komshinjtë të identifikonin e benim bilancin sa njerëz kishim në rrënoja; Ishin shumë! Qetësohesha kur i dëgjoja t’i thoshin administratores se “tek kati i dyte, shtëpia anash ka qenë bosh, edhe tjera sipër një kat po ashtu”, por përsëri ishin shumë, të moshuar, prindër, djem, vajza te rinj, fëmijë, shumë.

Kurrë më pare nuk kisha hasur një termet te tille, kurrë më parë nuk kisha pare godina të shembura, kurrë më parë nuk kisha hasur, pare njerëz të gjalle apo pa jetë në rrënoja; Kurrë më parë nuk kisha bërë një punë të tillë!

Por puna mësohet, ta mëson nevoja dhe njerëzit, te gjithë me te cilat flisja prej ores 4.00 e qe ishin aty; Koleget e mi, deputet, kryetaret e bashkive, policet, ushtaraket, mjeket e infermieret, kerkuesit e shpëtuesit, punëtoret, vendasit e ardhësit, nuk ua thashë në një vit; Me ju shkoj edhe ne lufte!“, shkruan Braçe./mv.abcnews.al