Përjashtuan nxënësin me aftësi të kufizuara, pezullohet drejtoresha e shkollës dhe drejtori i zyrës Arsimore Divjakë

schedule13:55 - 27 Mars, 2022

schedule 13:55 - 27 Mars, 2022

Ministria e Arsimit ka pezulluar nga detyra drejtoreshës së shkollës së Mesme të Bashkuar “Mihal Nako” në Fierseman dhe drejtorin e Zyrës Vendore Arsimore Divjakë Llazar Stase, pas përjashtimit nga shkolla të nxënësit me aftësi të kufizuara Emiliano Liçi.

Për problemin e nxënësit me aftësi të kufizuara Emiljano Liçi, emisioni “Stop”  ka komunikuar me titullaren e shkollës, e cila justifikohet se ka zbatuar udhëzimin per kriterin e moshës. Por ajo nuk di të thotë se pse e pranoi Emiljanon dhe më pas e përjashtoi nga shkolla, pasi kishte filluar viti.

Përmes një njoftimi për shtyp ministria e Arsimit bën me dije se nxënësi Emiliano Liçi do kthehet në bankat e shkollës që nga dita e hënë. Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar kanë ngritur menjëherë një grup pune të përbashkët për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës.

Njoftimi i ministrisë:

Pas denoncimit nga emisioni “Stop” në TV Klan të rastit të nxënësit Emiliano Liçi, i cili nuk është lejuar të vazhdojë frekuentimin në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Mihal Nako” në Fierseman, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, pas verifikimeve paraprake, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të drejtoreshës së shkollës dhe drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore Divjakë.

Ndërkohë, nxënësi Emiliano Liçi do të kthehet menjëherë në bankat e shkollës, që nga dita e hënë 28 Mars 2022, pas kryerjes së të gjitha procedurave përkatëse nga ana e shkollës, në bashkëpunim edhe me mësuesin ndihmës, punonjësin e shërbimit psiko-social dhe familjen, me qëllim që Emiliano të ketë të gjithë mbështetjen dhe kujdesin e duhur.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar kanë ngritur menjëherë një grup pune të përbashkët për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës.

Nga ana tjetër, që nga muaji janar Ministria ka ngritur një grup pune, i cili po punon intensivisht për ndryshimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar për kthimin e shkollave të arsimit special në qendra burimore, duke ofruar shërbim më profesional dhe të plotë për nxënësit me aftësi ndryshe, duke u përshtatur edhe me eksperiencat më të mira të vendeve evropiane. Parashikohet që këto ndryshime, pasi të konsultohen me të gjitha grupet e interesit, të finalizohen me miratimin në Parlament brenda vitit 2022.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke falënderuar denoncimin e këtij rasti, shpreh angazhimin për të ndjekur dhe zgjidhur me vendosmëri çdo problematikë të hasur në institucionet tona arsimore, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe respektimin e ligjit nga të gjithë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!