Përgjaket fushata, plumba dhe dajak në 3 qytete për 8 orë, një i vdekur dhe 5 të plagosur

schedule23:34 - 21 Prill, 2021

schedule 23:34 - 21 Prill, 2021

Tre ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, programet dhe premtimet ua lanë fjalën plumbave, dajakut dhe kërcënimeve. Dita e sotme ishte e përgjakshme, pasi në tre qytete të vendit, Elbasan, Vlorë dhe Poliçan u shënuan tre ngjarje kriminale me një të vdekur dhe 5 të plagosur. Gjithçka ndodhi në harkun e tetë orëve.

Rreth orës 14:00 në Elbasan u ekzekutua me armë zjarri Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i LSI-së për disa vite, më pas kishte kaluar te PDIU dhe së fundmi ishte bashkuar me PS-në, edhe pse kryeministri Edi Rama u shpreh sonte se nuk ishte anëtar i partisë që ai drejton.

Xhuvani u përplas me një grup të PD-së pranë zyrës së tyre elektorale në rrugën “5 Maji”. Gjithçka ndodhi në sy të policisë së Elbasanit, e cila nuk arriti që ta parandalonte, madje një efektive Xhensila Sota 27 vjeçe u plagos në këmbë nga breshëria e armëve. E ndërsa Xhuvani humbi jetën në vend nga plumbat në kokë dhe gjoks, i  plagosur mbeti dhëndri i tij, Eltjon Bodinaku  32 vjeç.

Por kush janë autorët? 54-vjeçari Xhuvani me dhëndrin u përplasën me grupin e PD-së, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani dhe Arbër Papleka, që sipas drejtuesit politik të opozitës në Elbasan, Gazment Bardhi ishin në mbrojtje të votës, pasi kishin denoncuar se rivalët po shpërndanin lekë për zgjedhjet. Bardhi e kishte denoncuar Xhuvanin edhe për përplasjen Ditën e Verës në Elbasan.

Xhuvanit i morën jetën plumbat e shkrepur nga arma e ish-oficerit të policisë Papleka, të cilin teksa e gjithë policia, RENEA dhe FNSH po e kërkonin në Elbasan, erdhi dhe u dorëzua në Tiranë në zyrën e komandantit të RENEA-s. Në kërkim është shpallur Kelmend Xhaferri, një personazh i njohur në këtë qytet.

Pas rreth 5 orësh nga ngjarja në Elbasan, të shtënat me armë spostohen në Vlorë, ku në fshatin Poro u qëllua me breshëri në drejtim të një lokali në pronësi të Gjergj Nasit.

Një dëshmitar në vendin e ngjarjes, brenda në lokal, rrëfeu përballjen me autorin, ndërsa PD akuzoi se gjithçka është me prapavijë politike, pasi lokali ishte bazë e takimeve të opozitës. Deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Ndërkohë që rreth orës 22:00 në Poliçan shënohet një tjetër ngjarje kriminale. Një anëtar i LSI-së dhunohet në hyrje të pallatit. Luan Tare akuzoi se autorët janë nipi me vëllanë e kryetarit të bashkisë Poliçan dhe 5 persona të tjerë.

Luan Tare shprehet se ngjarja ka prapavijë politike, pasi autorët pasi e kanë dhunuar në fund i kanë thënë; a do ta mbash më kapelën e LSI-së tani? Ai ka deklaruar se është kërcënuar vazhdimisht gjatë 2 muajve të fundit nga anëtarët e PS-së Poliçan për të hequr dorë nga LSI. Deri tani për ngjarjen në Poliçan nuk ka asnjë të arrestuar./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!